“Ia kam pak frikën fushës”, Tafaj: Pres derbi agresiv, por kujdes sulmin e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 23:02

“Ia kam pak frikën fushës”, Tafaj: Pres derbi agresiv, por kujdes sulmin e kuq

Derbi numër 4 i sezonit kundër Partizanit e gjen Dinamon në një pozicion ndryshe. Një skuadër më të lidhur, më solide dhe më rezultative. Blutë mbajnë vendin e 4-t në renditje, 2 pikë larg Partizanit dhe me një moral më të lartë, falë ecurisë së mirë të ndeshjeve të fundit.

TAFAJ

Derbi i së shtunës në kampion dinamovit shihet si një mundësi e mirë për të forcuar pozitat në 4-she, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Jo thjesht se është një derbi dhe këto ndeshje janë gjithmonë të paparashikueshëm, por edhe se kundërshtari do të kërkojë pikët me të gjitha forcat.

I gjithë stafi teknik i Dinamos ka qenë te Partizani dhe e njeh mjaft mirë këtë ekip. Njëri prej tyre, Fatjon Tafaj, krahu i djathtë i trajnerit Mehmeti, në një intervistë për “Panorama Sport” flet me detaje për derbin e së shtunës, ku pret rezultatin pozitiv të radhës për blutë.

Tafaj, çfarë derbi presim këtë herë kundër Partizanit, që ju dhe i gjithë stafi teknik i Dinamos e njihni shumë mirë?

Do të jetë një ndeshje e fortë besoj, si çdo derbi. Një ndeshje rivalësh. Është e vërtetë që e njohim mirë pjesën më të madhe të lojtarëve të Partizanit, sepse ne si staf kemi punuar aty më parë. Janë një ekip i fortë, pavarësisht rezultateve të ndeshjeve të fundit. Mund të them se kanë në çdo repart lojtarë që mund të bëjnë diferencën, që mund të zgjidhin ndeshjen. E dimë shumë mirë këtë fakt dhe po e përgatisim me shumë kujdes sfidën.

Çfarë ndeshjeje mund të jetë, më shumë taktike, si një lojë shahu, apo e hapur?

Nuk mendoj se do të jetë një ndeshje shahu, mendoj se do të jetë një ndeshje agresive, sepse në këtë moment kanë shumë rëndësi pikët. Dhe të dyja skuadrat do ta kenë përqendrimin te pikët, kështu që do të luftojnë fort në fushë.

Besoj se të dyja skuadrat së pari do të përpiqen për t’u mbrojtur sa më mirë. E vetmja frikë që kam është tapeti i stadiumit ku do të luhet ndeshja, që është pak i fortë dhe ndoshta derbi nuk do të ketë atë bukurinë në lojë, që mund të kishte për shembull, në “Air Albania”. Megjithatë, nuk është justifikim, sepse do të jetë njësoj për të dyja skuadrat.

Dinamo ndërkohë vjen në një gjendje më të mirë dhe presionin me të madh e ka Partizani. Sa do të ndikojë ky fakt?

Mund të jetë një avantazh për ne, por nuk do të thotë gjë, sepse asnjëherë nuk e dimë si shkojnë ndeshjet dhe aq më tepër derbit. E vërteta është se skuadra po përgatitet shumë mirë për këtë sfidë, grupi i lojtarëve ka punuar shumë mirë dhe ka moralin e duhur përpara një derbi.

Ne do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin dhe pastaj fusha do të tregojë se sa do të jetë maksimumi ynë, tri pikë apo një pikë. Unë do të theksoja se për Dinamon ka shumë rëndësi të ecë me hapa të vegjël, por të sigurt, siç ka bërë deri tani.

Dinamo me kalimin e javëve ka krijuar një profil loje të sajin, ka një stil loje, kurse Partizani duket pak më i vështirë për t’u “lexuar”?

Po, loja e Dinamos ka ardhur në rritje dhe, siç e thashë, kemi bërë hapa të vegjël përpara, por të sigurt. Jemi në katërshe dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Ajo që unë do të thosha ka të bëjë me faktin se tashmë lojtarët e njohin mirë situatën në çdo ndeshje kampionati, e dinë më mirë si duhet të sillen në momente të caktuara, kur duhet të bëjnë presion apo kur duhet të jenë më të kujdesshëm për marrë rezultat. Kjo e ka ndihmuar Dinamon të ecë përpara. Për Partizanin e dinë më mirë ata, por mund të them se kanë lojtarë të fortë.

Kujt i druheni më shumë, meqenëse e përmendët këtë fakt?

Do të veçojë lojtarët e sulmit. Skuka dhe Mba janë dy sulmues të rrezikshëm, por mund të vendosin ndeshjet, duke e nxjerrë golin edhe nga hiçi. Edhe Cara po ashtu është një sulmues i rrezikshëm.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"