Humbi kreun në Premier Ligë dhe u eliminua nga Champions, prilli muaj i mallkuar për Arsenalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 16:41

Humbi kreun në Premier Ligë dhe u eliminua nga Champions, prilli muaj i mallkuar për Arsenalin

Tifozët e Arsenalit kanë vajtuar “mallkimin” e tyre të prillit, pasi një sezon tjetër kërcënon të dalë nga shinat gjatë këtij muaji. Humbja në Ligën e Kampioneve ndaj Bajernit të mërkurën, pa që “topçinjve” t’u shuhej ëndrra për të shkuar në gjysmëfinalen e parë që nga viti 2009.

bajern arsenal

Ajo erdhi pas humbjes 2-0 në shtëpi ndaj Aston Vilës, duke sjellë edhe lëshimin e kreut të Premier Ligës dhe zbehur një tjetër ëndërr të skuadrës së Artetës, e cila nuk e ka fituar titullin prej 20 vitesh. Megjithatë, një realitet i tre sezoneve të fundit ka parë që rezultatet për skuadrën e Mikel Artetës të marrin pikiatën në muajin prill. Kur Arsenali po luante për renditjen mes katër më të mirave në vitin 2022, një seri prej tri ndeshjesh në fillim të muajit i pa ata të humbnin ndaj Kristal Palasit, Brajtonit dhe Sauthemptonit. Dhe pavarësisht se u kthyen për të fituar dy ndeshjet e tyre të fundit të muajit, në fund do t’u kushtonte atyre, pasi dy humbje të njëpasnjëshme në maj i lejuan Totenhemit t’i dilte në vendin e katërt.

Ndërkohë, sezoni i kaluar e pa Arsenalin në një garë për titullin kampion me Mançester Sitin, por tre barazime kundër Liverpulit, Uest Hemit dhe Sauthemptonit përpara një disfate me skuadrën e Guardiolës, i panë ata të hiqnin dorë nga vendi i parë. Dhe historia kërcënon të përsëritet këtë sezon. Arsenalit i kanë mbetur edhe tri ndeshje në muaj për të provuar të largojnë mallkimin e tyre dhe ta kthejnë sezonin në rrugën e duhur, me ndeshjet që vijnë kundër Uolvesit, Çelsit dhe Totenhemit.

Në dy ndeshjet e para të muajit ata fituan, duke marrë më të mirën ndaj Lutonit në shtëpi 2-0 dhe fituan ndaj Brajtonit 3-0 në transfertë. Por londinezët nuk fitojnë prej tri ndeshjesh tashmë. Bilanci total i ndeshjeve të Arsenalit në tre sezonet e fundit gjatë këtij muaji është 15 ndeshje: 5 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"