Gola të anuluar dhe një traversë, Tirana regjistron 12 ndeshje pa fitore (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2017 | 19:04

Gola të anuluar dhe një traversë, Tirana regjistron 12 ndeshje pa fitore (Video)

Skuadra e Tiranës ka regjistruar sot ndeshjen e 12 radhazi pa fitore në Kategorinë Superiore duke shtuar rrezikun e përfshirjes së plotë në luftën për mbijetesë. Bardheblutë e Josës janë ndalur në shtëpi nga Laçi në një barazim pa gola, në një takim ku nuk kanë munguar rastet e diskutueshme për secilën skuadër që ka parë t’i anulohet një gol.

Ndryshe nga sa mendohej, golit më shumë i është afruar Laçi, i cili ka rrezikuar disa herë katërkëndorin e Likës, ndërsa në fund ka goditur edhe traversën e portës bardheblu. Të dy skuadrat tani ndjejnë më afër rrezikun e Flamurtarit, i cili me një fitore nesër, mund të rihapë plotësisht luftën për mbijetesë.

tirana laci1

MINUTË PAS MINUTE

90’+4′ Mbyllet pa fitues ndeshja në Tiranë. 

90′ Jepen katër minuta shtesë.

86’ Shpëton me fat Tirana. Fillimisht Mensah nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë pas një goditje dënimi nga e majta duke kaluar sferën mbi traversë. Pak sekonda më vonë është Serxhio Zhunior i cili provon të harkojë në qendër nga e djathta por topi merr një trajektore të çuditshme dhe gjen të parapërgatitur Likën, duke u përplasur në traversën e portës së bardhebluve.

85’ Shumë ndërprerje në këto minuta të ndeshjes, me ekipet të cilat nuk arrijnë të gjejnë hapësira për të rrezikuar përveç goditjeve standarde.

73’ Tjetër goditje dënimi në pozicion ballor për Tiranën. Karabeci gjuan por Selmani përgjigjet në pozicion duke bllokuar topin në tokë në të majtën e tij.

65’ Edhe Laçit i anulohet një gol shumë i diskutueshëm. Musaj gjuan nga e djathta, topi përplaset në shtyllë dhe përfundon në këmbët e Mensah i cili nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetën e boshatisur. Vijërojtësi sinjalizon për pozicion jashtë loje të sulmuesit të Laçit.

62’ Tirana kundërpërgjigjet me një gjuajtje të fortë të Karabecit, të cilën Selmani e grushton me vështirësi.

59’ Qaqi humb rastin më të mirë për të shënuar golin e avantazhit për Laçin. Pas një goditje dënimi, mbrojtja e Tiranës nuk u shfaq e vendosur mirë duke harruar Qaqin në qendër të zonës. Por gjuajtja e mbrojtësit nuk gjen kuadratin duke përfunduar mbi kryqëzimin e shtyllave në të djathtë të Likës.

halili edeh

56’ Edhe Josa përgjigjet me një zëvendësim, duke hedhur në fushë Halilin për Edeh, i cili largohet mes vërshëllimave të publikut.

55’ Sinella ndryshon rreshtimin e të tijve duke larguar Nikën për të aktivizuar Çelhakën.

47’-52’ Më shumë ritëm në fillimin e pjesës së dytë. Laçi provon me gjuajtje nga jashtë zonës, ndërsa Tirana përgjigjet me një tentativë fluturimthi të Merveill.

46′ Rifillon takimi në “Selman Stërmasi”.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë me Tiranën më ngulmuese në minutat e fundit.

41’ Edeh më në fund gjen golin për Tiranën, por vijërojtësi e anulon për pozicion jashtë loje. Protesta në fushë dhe në tribuna për këtë vendim.

40’ Goditje nga këndi për Tiranën nga e djathta, Selmani gabon daljen dhe lëshon topin mes dy futbollistëve të Tiranës, por këta të fundit nuk arrijnë të shtyjnë sferën në rrjetë ndërsa mbrojtja largon me vështirësi.

36’ Aksion në krahun e djathtë i Merveill që bën gjithçka mirë për të dalë në pozicion harkimi, por më pas shpërdoron një mundësi të mirë me një pasim qendror që nuk sjell asgjë dhe përfundon në duart e Selmanit.

32’ Goditje dënimi ballore para zonës së Laçit. Hoxhallari provon të vërë në vështirësi Selmanin por goditja e mbrojtësit është qendrore dhe gardiani i Laçit kontrollon pa shumë probleme.

27’ Shumë gabime pranë zonave kundërshtare nga të dy skuadrat, të cilat nuk kanë prodhuar ende asnjë gjuajtje të denjë për t’u cilësuar e rrezikshme.

16’ Pas një goditje nga këndi, topi përfundon te Lulaj i cili gjuan nga jashtë zonës, por sfera është shumë lart për të shqetësuar Likën.

8’ Ide e mirë e Moise i cili kalon nga e majta një top mbi mbrojtjen e Laçit duke kërkuar Edeh, por Selmani është i vëmendshëm dhe del për të kontrolluar sferën para sulmuesit të Tiranës.

6′ Fazë kontrolli e të dy skuadrave, që nuk kanë rrezikuar ende në sulm, pasi mbrojtësit janë shumë të kujdesshëm në këto minuta të para.

1’ Fillon ndeshja në “Selman Stërmasi”.

tirana laci

Tirana-Laçi 0-0

Tirana: Lika, Doka, Teqja, Turtulli, Hoxhallari, Karabeci, Akua, Mervejl, Taku, Mojse (68′ G. Lika), Edeh (56′ Halili).

Trajner: Mirel Josa

Laçi: Selmani, Sefgjini, Musaj, Qaqi, Gjoni, Lushkja, Nika (55′ Çelhaka), Lulaj (87′ Abraham), Mensah, Vucaj (76′ Serxhio Zhunior), Jonuzi.

Trajner: Bledar Sinella

KV: Lushkja, Sefgjini, Lulaj

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"