Gol në “ekstrem”, Dinamo del në sipërfaqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2011 | 12:02

Gol në “ekstrem”, Dinamo del në sipërfaqe

Dinamo-Bylis 1-1
Golat: Dimo 36′ / Osmani 90’+4 (11-metërsh)
DINAMO: Osmani, Peqini, Hoti, Marku, A.Kule (75′ Kulli), Imami, Delialliasi, Daja, Arifaj, Xhemalaj (Dita 46′), Shtini. Trajner: Artan Mërgjyshi
BYLISI: Frashëri, Shoshi, Teqja, Idrizi, Ristevski, M.Kule, Korreshi (Gega 90’+4), Popoviç (Rrapaj 90’+4), Dimo, Abazaj (Uashington 72′), Xhafa. Trajner: Naxhi Shansoji
KARTONË TË VERDHË: A.Kule 50′ / Popoviç 64′, Uashington 77′, Frashëri 85′, Ristevski 90’+4′
GJYQTARET: E.Dobi, F.Elezi (Durrës), N.Rrapaj (Patos)

MINUTAT
9′ Xhafa gjuan në gjysmëroveshatë brenda zonës kundërshtare,
por Osmani është pozicional dhe grushton duke larguar rrezikun.
18′ Pas një krosimi nga goditja e këndit, Marku i ardhur nga
mbrojtja tenton të bëjë një kthesë, por topi përfundon jashtë.
26′ Dimo në shtyllën e dytë ka një raste të artë për të shënuar
me portën e boshatisur, por gjuajtja e tij nuk është në kuadrat.
31′ Arifaj provon të gjejë rrjetën me një goditje të fortë brenda
zone, por topi i tij devijohet dhe shkon në goditje nga këndi.
36′ Krosim në zonë nga krahu i majtë i sulmit të ballshiotëve
dhe në zonë është kapiteni Dimo, i cili në pozicion të vështirë
arrin të gjuajë me kokë dhe të shënojë. 0-1
58′ Dimo futet bukur në zonën dinamovite dhe ka hapësirë, por
vonohet në gjuajtje dhe topi largohet nga Peqini.
75′ Imami ekzekuton një goditje dënimi nga jashtë zone dhe
tenton të befasojë portierin mik, por topi i tij është mbi traversë.
85′ Daja kryeson bukur në zonë, por Shtini nuk është i saktë në
gjuajtjen me kokë.
90’+4′ Shtini futet mjaft bukur në zonën ballshiote dhe pas një
kontakti me mbrojtësin Ristevski rrëzohet. Kryesori i takimit
akordon 11-metërsh, dhe nga pika e bardhë portieri Osmani nuk
gabon. 1-1

Me pesë mungesa të rëndësishme, skuadra e Dinamos ia ka dalë të marrë 1 pikë mjaft të vlefshme në ndeshjen e djeshme ndaj Bylisit, që është zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, shkallët e të cilit kanë qenë të boshatisura. Ballshiotët do ta gjenin të parët rrugën e rrjetës. Ata besuan te fitorja përgjatë gjithë pjesës së dytë, ndonëse goditja erdhi pikërisht në minutën e katërt shtesë, kur Osmani nga pika e bardhë ka arritur të shënojë golin e barazimit për blutë, që tashmë janë në kuotën e 1 pikëve.
Pjesa e parë Minutat e para të lojës kanë folur për skuadrën mike, që me një organikë më të pasur lojtarësh është gjithmonë në kërkim të golit të avantazhit, por pa mundur të çajë në mbrojtjen vendëse, e cila ka qenë e ngjeshur si në të gjitha ndeshjet e kësaj faze të parë. Xhafa jep shkëndijën e parë në minutën e 9-të për ekipin e drejtuar nga Shansoji. Sulmuesi gjuan një gjysmë roveshatë brenda zone, e cila grushtohet në mënyrën më të mirë nga Osmani i vëmendshëm. Dinamo e ka të vështirë të reagojë dhe rastet e saj në portën kundërshtare do të jenë sporadike. Minutat kalojnë dhe trajneri kosovar i Bylisit në pankinë kërkon më tepër nga futbollistët e tij në fushë, të cilët do të gjejnë edhe golin e avantazhit në minutën e 36-të. I përhershmi Dimo do të lërë gjurmë edhe në këtë takim. Pas një krosimi nga krahu i majtë i sulmit, Dimo në zonën dinamovite është i pamarkuar dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë. Miqtë janë në avantazh dhe tashmë duket se fitorja u përket atyre.
Pjesa e dytë Trajneri Mërgjyshi nuk ka më ç’të humbasë dhe kryen lëvizjen e parë me startin e fraksionit të dytë të lojës. Xhemalaj i lë vendin të riut Dita, ndërsa loja merr një tjetër pamje. Dinamovitët kërkojnë me çdo kusht barazimin, duke rrezikuar shumë prapavijën e tyre, por edhe duke iu mohuar në një rast një penallti e pastër, kur Shtini rrëzohet qartazi nga kundërshtari brenda zone. Minutat kalojnë dhe goli duket se është shumë larg për blutë. Mërgjyshi bën lëvizjen e radhës. Kule në mesfushë do t’i lërë vendin Kullit, një sulmuesi të deklaruar, duke u rikthyer edhe njëherë tjetër te skema 4-4-2. Minuta e 80- të dhe sulmet e Dinamos janë të njëpasnjëshme, ndërsa ballshiotët janë në mbrojtje të rezultatit të tyre. Por, surpriza e vendësve do të vijë në minutën e dytë shtesë. Shtini do të futet bukur në zonë pas një pasimi të dhënë nga Daja dhe aty do të rrëzohet nga Ristevski. Kryesori Dobi nuk ka dyshime këtë herë dhe akordon 11-metërsh. Osmani e merr përsipër ta realizojë edhe shënon. Presidenti i Bylisit, Kapllanaj, nuk u beson syve dhe në përfundim të takimit lë tribunën VIP mjaft i irrituar. Ndërsa Dinamo tashmë nuk është më në kuotën e 0 pikëve.

MË I MIRI
Portieri i skuadrës së Dinamos, Alfred Osmani, është duke kaluar një nga momentet e tij më të mira. Gjatë sfidës së djeshme gardiani e ka shpëtuar katërkëndëshin e tij nga shumë gola të padiskutueshëm, duke bërë pritje të sigurta. Gjithashtu, Osmani me 11-metërshin e ekzekutuar saktë i ka dhënë Dinamos një barazim me shumë vlera, duke e nxjerrë atë nga kuota e 0 pikëve, ku ishte deri në ato momente në klasifikim.

MË PAK AKTIVI
Edhe nga sulmuesi kryesor i Bylisit, Oriand Abazaj, trajneri kosovar Shansoji priste më tepër, mirëpo lojtari nuk ka qenë në ditën e vet më të mirë gjatë sfidës së djeshme me Dinamon. Tekniku shpeshherë është parë duke e këshilluar futbollistin për pozicionimin e tij në fushë, gjersa në minutën e 77-të e ka zëvendësuar atë me Uashingtonin. Por edhe ky i fundit nuk ka justifikuar aktivizimin e tij për rreth 20 minuta.

Mërgjyshi: U them bravo lojtarëve të mi
“Morëm një pikë shumë të vuajtur, por të merituar, pasi nuk kemi vjedhur asgjë, pavarësisht se si rrodhën gjërat. Për asnjë moment nuk u dorëzuam, madje e kërkuam me ngulm golin e barazimit, pse jo edhe ta kthenim rezultatin në favorin tonë. Megjithatë, minutat kaluan, tensioni u rrit dhe loja hyri në rrjedhën e saj të zakonshme të ndërprerjeve. Gjithsesi, unë dua t’u them një bravo të gjithë futbollistëve të mi, të cilët besuan deri në fund dhe arritën të merrnin një pikë. Është e vërtetë që deri më tani kemi marrë vetëm barazime, por skuadra ka nevojë për më shumë cilësi. Deri tani kemi treguar dëshirë, entuziazëm, grintë, por na mungojnë lojtarët cilësorë”.

Vendime të dyshimta të gjyqtarit Dobi
Edhe pse është përpjekur të mbajë një balancë gjatë gjykimit të ndeshjes së djeshme, të cilën deri në një farë pike e ka arritur, arbitri kryesor, Dobi, në disa raste ka gabuar duke i mohuar Dinamos një 11-metërsh të pastër, që mund të kthente të gjithë ecurinë e lojës. Gjatë minutave të para të pjesës së dytë, sulmuesi i Dinamos, Shtini, është rrëzuar pastër në zonën kundërshtare nga mbrojtësit, megjithatë kryesori ka lejuar avantazhin, duke mos akorduar 11- metërsh. Megjithatë, kryesori duket se ka kompensuar gjithçka me 11-metërshin e dhënë në fundin e takimit.

Dimo replikon me lojtarët dinamovitë
Gjatë minutave të fundit të pjesës së dytë, në ndeshjen e djeshme mes Dinamos dhe Bylisit ka pasur edhe momente tensioni. Kapiteni i ballshiotëve, Amarildo Dimo, pas një ndërhyrjeje që i është bërë nga futbollistët dinamovitë, ka vazhduar të qëndrojë i shtrirë duke ndërprerë lojën, edhe pse kryesori i takimit nuk ka akorduar goditje dënimi. Te futbollisti mik kanë vërshuar të gjithë lojtarët e Dinamos, të cilët kanë tentuar ta ngrenë atë, por vetë Dimo ka refuzuar, duke kërkuar ndihmën mjekësore. Mes futbollistëve ka pasur edhe replika, megjithatë gjithçka është shuar shumë shpejt nga stafi teknik i Dinamos, që i ka kërkuar lojtarëve të tij të ruajnë qetësinë.

Mungon presidenca blu
Drejtuesit më të lartë të Dinamos vazhdojnë të jenë indiferentë kundrejt ekipit të tyre. Edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Bylisit, askush nga presidenca blu nuk ishte në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa”, ndërkohë që nuk ka munguar administratori i përgjithshëm i bluve, Ismet Saliaj, i cili ka qenë personi që është marrë me organizimin e ekipit gjatë gjithë fazës së parë. Nuk dihet nëse pas janarit drejtuesit blu do të rikthehen në stadium për të parë Dinamon.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"