Fulham del jashtë gare për blerjen e kartonit të Brojës, pritet verë e nxehtë për sulmuesin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 22:10

Fulham del jashtë gare për blerjen e kartonit të Brojës, pritet verë e nxehtë për sulmuesin e Kombëtares

Në fillim dukej si një bekim për Fulhamin, me londinezët që bënë gjithçka për të siguruar shërbimet e tij, “luftuan” deri në minutat e fundit në merkaton e dimrit, por gjërat nuk shkruan si duhet.

broja

Armando Broja-Fulham lindi si një dashuri me shikim të parë, por po kaq shpejt po përfundon. Sipas prestigjiozes “The Telegraph” ka shumë pak gjasa që Broja të qëndrojë te Fulham edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

Dy klubet, Celsi dhe Fulham arritën një marrëveshje në bazën e 4 milionë paund për huazimin e sulmuesit shqiptar, kjo në varësi të minutave që Broja do të aktivizohej, por shpërthimi i pa pritur i Muniz ka bërë që minutat për “bomberin” kuqezi të ishin me pikatore. Në asnjë sfidë, Broja nuk ka zbritur në fushë si titullar, por është aktivizuar vetëm në 4 raste si zëvendësues.

Qëndrimi më i gjatë në fushë ishte kundër Bërnlej, vetëm 16 minuta. Broja u aktivizua me përfaqësueses shqiptare në dy miqësoret e muajit mars, ndaj Kilit si zëvendësues, ndërsa ndaj Suedisë zbriti në fushë nga minuta e parë. “The Telegraph” shton se palët, Celsi dhe Fulham, nuk kanë asnjë obligim shtesë në kontratën që firmosën. Nuk ka thuajse asnjë shans që Fulham të futet në garë për të blerë kartonin e tij në verë, thjesht do të paguajnë në arkat e Bluve 4 milionë paund pasi nuk përmbushën kushtet në kontratë.

Është e qartë që drejtuesit e Celsit do të bëjnë gjithçka që Broja të shitet gjatë verës, kjo për faktin se sulmuesi shqiptar është një prodhim i akademisë dhe çdo milion që do të marrin nga shitja e tij është fitim i pastër, i domosdoshëm për të përmirësuar bilancet ekonomike. E qartë është gjithashtu se Celsi vështirë se arrin në 50 milionë paund, aq sa kërkuan gjatë janarit për kartonin e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"