Foden më i miri në Angli: Është një nder, dua ta mbyllim sa më fortë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 12:40

Foden më i miri në Angli: Është një nder, dua ta mbyllim sa më fortë sezonin

Ylli i Mançester Sitit dhe Anglisë, Fill Foden, është kurorëzuar Futbollisti i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Futbollit, duke marrë 42 për qind të votave në total.

foden

23-vjeçari ka shijuar sezonin e tij më të mirë deri më sot, mes përpjekjeve të Sitit për një titull të katërt radhazi në Premier Ligë, duke u shfaqur lojtari më i rëndësishëm i Pep Guardiolës me 24 gola dhe dhjetë asiste në të gjitha kompeticionet, kur kanë ngelur edhe pesë ndeshje. Mesfushori i Arsenalit, Deklan Rajs përfundoi i dyti në votim pas Fodenit, ndërsa bashkëlojtari i tij te Mançester Siti, Rodri, u rendit i treti. Kapiteni i “Topçinjve”, Martin Odegard dhe sulmuesi i Aston Vilës Oli Uotkins përfunduan respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë, ndjekur nga Kol Palmer (Çelsi) në vendin e gjashtë. Produkti i akademisë së “Qytetarëve” shpreson t’i japë fund sezonit të tij të mrekullueshëm me dy trofe, ndërsa Mançester Siti është favorit për të fituar titullin e Premier Ligës, por edhe finalen e Kupës FA në 25 maj kundër Junajtid. Shoku i tij i skuadrës, Erling Haland, e fitoi këtë çmim sezonin e kaluar, pasi theu rekordin e golave në Premier Ligë (36) në sezonin e tij debutues në “Etihad”, ndërsa ylli i Liverpulit, Mohamed Salah, e fitoi këtë çmim në 2021-22. Foden bëhet anglezi i parë që fiton çmimin që nga viti 2020, kur ishkapiteni i Liverpulit, Xhordan Henderson, fitoi nderin për arritjen e të kuqve drejt titullit të parë kampion në 30 vjet.

“Votimi nga Shoqata e Gazetarëve të Futbollit si Futbollisti i Vitit është një nder i madh. Jam shumë, shumë i lumtur që mora këtë çmim, por nuk do ta kisha bërë pa ndihmën e shokëve të skuadrës. Ne kemi një skuadër shumë të veçantë lojtarësh te Siti dhe unë jam i privilegjuar që jam pjesë e këtij grupi. Dua të falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi, si edhe Pepin dhe trajnerët, për të gjithë mbështetjen dhe këshillat që më kanë dhënë. Përpiqem të jem më i miri që mund të jem çdo ditë dhe kjo varet nga mënyra sesi menaxheri dhe kolegët e mi gjithmonë kërkojnë të përmirësohen. Do të doja gjithashtu të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë ata që votuan për mua, si dhe kolegët e mi të nominuar. Jam jashtëzakonisht krenar që kam fituar këtë çmim. Tani jam i fokusuar për të përfunduar sezonin sa më fuqishëm që të jetë e mundur dhe të përpiqem të ndihmoj Sitin të fitojë më shumë trofe”, tha Foden pasi fitoi çmimin.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"