Flamurtari “peshkon” në Cërrik, kuqezinjtë arrijnë akordin me sulmuesin 21-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2023 | 15:25

Flamurtari “peshkon” në Cërrik, kuqezinjtë arrijnë akordin me sulmuesin 21-vjeçar

Flamurtari “peshkon” te Turbina. Presidenti i Cërrikut ka bërë “shkesin” në këtë rast. Kur dihet që Gentjan Gjoka po merret me merkaton e kuqezinjve, më të mirët po i sjell në Vlorë. “Panorama Sport” mëson se kuqezinjtë kanë arritur akordin me një nigerian. Bëhet fjalë për Nnamdi Franklin Ahanonu, sulmuesin 21-vjeçar.

flamurtari

Ai verën e sezonit të kaluar nënshkroi një kontratë trevjeçare me Turbinën. Por duke qenë së të verdhët ranë në Kategorinë e Dytë, afrikani me konsensus ka kërkuar zgjidhjen e kontratës. Autori i 6 golave shikohet si një vlerë e shtuar për ofensivën e vlonjatëve, nisur edhe nga mosha e re.

Ai ka zbarkuar dje në Vlorë për të përmbyllur zyrtarisht detajet e marrëveshjes dhe për të nisur menjëherë punën me skuadrën e re. Por gjasat janë që të mos vijë i vetëm. Bashkë me të mund të vijë edhe bashkëkombësi i tij, Yusuf Basit Abiodun. Mesfushori 22-vjeçar kishte gjithashtu një kontratë trevjeçare me cërrikasit, por rënia në inferiore duket se i prishi planet.

PRAPASKENA – Merkatoja e Flamurtarit është drejt mbylljes. Të pakta do të jenë afrimet në vijim. Sikundër “Panorama Sport” paralajmëroi, kjo javë do të përcaktonte edhe fatin e Bruno Telushit dhe Ardit Hoxhajt. Sinan Idrizi u tërhoq për t’ia lënë në dorë trajnerit Emiljano Çela.

Më shumë së kurrë më parë, dy vlonjatët kërkonin që të riktheheshin në shtëpi. Por nuk ishte e thënë… Ishte tepër vonë, pasi trajneri e kishte krijuar skuadrën sipas idesë dhe filozofisë së tij.

Gazeta zbulon se është diskutuar gjatë në klub për Telushin dhe Hoxhajn. Por në fund e kanë cilësuar si të pamundur rikthimin e dy vlonjatëve, pasi nuk kanë dashur të prishin ekuilibrat në skuadrën e sapoformuar.

Flamurtari ka mbipopullim në mesfushë dhe kjo gjë ka bërë që të heqin dorë. Për pasojë ish-kapiteni i Partizanit dhe ish-sulmuesi i Vllazisë vendosën të bashkoheshin me Elbasanin. Tashmë në Vlorë do të vijnë vetëm si kundërshtarë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"