“Flamurtari mendon finalen e madhe”, Trajneri Memushi: Të rinjtë duhet ta luajnë futbollin siç e kërkon koha, jo sipas mënyrës së tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 18:23

“Flamurtari mendon finalen e madhe”, Trajneri Memushi: Të rinjtë duhet ta luajnë futbollin siç e kërkon koha, jo sipas mënyrës së tyre

Eqerem Memushi ka nisur të mendojë për finalen, pasi e di fare mirë që Superiorja kalon nga “play off”-i. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thekson se skuadra do të jetë në gjendjen më optimale për t’i luajtur këto ndeshje. Ka mbetur i kënaqur nga miqësorja me Labërinë, por analizon edhe barazimin me Lushnjën. Pranon se ndeshjet në shtëpi janë kthyer në ngërç, ndërsa apelon që lojtarët të korrigjohen dhe të luajnë me qetësi.

EQEREM-MEMUSHI

Memushi, çfarë reagimi morët nga skuadra në ndeshjen me Labërinë?

Të them të drejtën, jam shumë i kënaqur. Djemtë janë shprehur shumë mirë në këtë takim. Ata duhet që të nxjerrin rezervat që kanë për finalen tonë, që është “play off”-i. Mendoj se derisa të vijë ai moment do të jemi në formën optimale.

Sa ju shërbeu ky test?

Na shërbeu shumë. Miqësoret janë gjithmonë pozitive dhe skuadra u shpreh shumë mirë. Jemi duke punuar me intensitet dhe me ngarkesë të plotë. Ndërprerja e kampionatit besoj se do të na shërbejë.

Çfarë nuk shkoi me Lushnjën dhe a e keni analizuar barazimin?

Ishte një rezultat që nuk na kënaqi, por duhet thënë se skuadra ka rrezikuar në shumë raste. Kemi kohë përpara për të rikuperuar dhe bërë detyrën. Ekipi ka djem të rinj, të cilët duhet t’i përmbushin më mirë detyrat dhe porositë që unë jap gjatë seancave stërvitore. Duhet ta luajnë futbollin siç e kërkon koha, jo ta luajnë sipas mënyrës së tyre. Megjithatë ne këtu jemi për t’i korrigjuar. Kohën e kanë përpara për të bërë më të mirën dhe unë kam shumë shpresë se do ta arrijnë atë. Pjesën e parë e dominuam dhe Lushnja nuk dha ndonjë kërcënim përveç dy episodeve. E komanduam lojën dhe në 45 minutat e para duhet ta kishim zgjidhur ndeshjen në mënyrë që skuadra të luante me qetësi në pjesën e dytë. Futbolli i ka këto, ndaj duhet që të shohim përpara dhe të përmirësohemi.

A ju kanë penalizuar mungesat në javët e fundit?

Mungesat nuk kanë ndikuar. E kam thënë edhe më përpara se kemi 25 lojtarë dhe mund të kemi hapësira për zëvendësim. Siç kemi ne mungesa, kanë pasur edhe kundërshtarët që jemi ndeshur. Ndaj, kjo nuk ka justifikim. Mendoj se ekipi duhet të reagojë në ndeshjet e tjera.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"