Flamurtari arrin akordin me fantazistin e dalë nga Tirana, vlonjatët i tregojnë derën 2 futbollistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2023 | 21:41

Flamurtari arrin akordin me fantazistin e dalë nga Tirana, vlonjatët i tregojnë derën 2 futbollistëve

Flamurtari merr Andri Stafën. Vlonjatët kanë arritur akordin me fantazistin, i cili bëhet afrimi numër 12 në këtë merkato vere. Jemi duke folur me të dhëna premtuese, që ka dalluar tek akademia e Tiranës dhe jo më kot mbante shiritin e kapitenit dhe ka fituar disa trofe.

Stafa 2

Viti 2021 shënon edhe nisjen e karrierës së Stafës si lojtar profesionist, kur u aktivizua me ekipin e parë të bardhebluve. I riu luajti disa ndeshje zyrtare me kryeqytetasit dhe më pas u huazua te Burreli. Luajti një sezon të plotë atje, ku në 23 ndeshje e gjeti edhe tri herë rrugën e rrjetës. Do të rikthehej sërish te 26 herë kampionët e vendit, por nuk qëndroi gjatë. Vjet u transferua në Kosovë, ku do të luante për skuadrën e Llapit.

Edhe atje bëri mirë, por nuk mori minutat që donte. Vetëm 634 minuta në 13 takime në fushë. Mesfushori vendosi që të largohej dhe shumë shpejt u sistemua. Për 21-vjeçarin ka pasur interes edhe nga skuadra të elitës. Vllaznia dhe Erzeni kanë qenë në garë për të marrë shërbimet e të riut, por në fund ai i tha “po” Flamurtarit. Edhe pse në Kategorinë e Parë, mendon se do të ketë hapësirën e nevojshme për të treguar potencialin e tij.

Stafa_Andri_@_Llapi_presentation_jun2022

STAFA – Mbylljen e marrëveshjes me skuadrën e Emiljano Çelës e konfirmon për “Panorama Sport” vetë Andri Stafa. I kontaktuar nga gazeta, ai sqaron se gjithçka ka mbaruar dhe të hënën do të vijë në Vlorë për të firmosur kontratën, prezantuar dhe më pas nisur zyrtarisht stërvitjen me ekipin e ri. “Kam arritur akordin me Flamurtarin. Të hënën do të jem në Vlorë, ku do të firmos kontratën dhe do të prezantohem”, tha fillimisht 21-vjeçari, ndërsa premton se do të jap maksimumin e tij që Flamurtari të rikthehet në Superiore.

“Më bindi projekti i klubit, por edhe emri i madh që ka Flamurtari. Është një klub me histori, ndaj jam shumë i privilegjuar që të jem pjesë e tij. Shpresoj që të na shkojë mirë dhe të ngjitemi në Superiore”, përfundon Stafa.

RIKONFIRMIMET – Nga grupi i vjetër janë rikonfirmuar Indio Oliveira, Behar Ramadani, Denis Pjeshka, Fabjan Beqja, Ermal Vitija dhe Ariol Kaloshi. Në fakt, në planet e trajnerit dhe të klubit ishin edhe Juri Merlim dhe Zana Silue, të cilët pëlqeheshin.

Flamurtari

Por burimet pranë klubit konfirmojnë se këto dy pista janë zbehur disi pas afrimeve të fundit. Megjithatë, mbetet për t’u parë në vijim. Nën urdhrat e trajnerit Çela janë vendosur edhe të rinjtë, Erik Kondi dhe Daniel Bregova, si dhe lojtarët e rikthyer nga huazimi, Albi Metani, Reinaldo Mukoj dhe Geraldo Balla.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"