Fitore me “poker” ndaj Kastriotit, trajneri Arbëri: Kjo është Vora e vërtetë, Superioren e synojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 23:35

Fitore me “poker” ndaj Kastriotit, trajneri Arbëri: Kjo është Vora e vërtetë, Superioren e synojmë deri në fund

Vora e ka lënë pas humbjen ndaj ballshiotëve dhe u rikthye te fitorja, ku në fundjavë mundi Kastriotin në shifrat 4-2. Fatmir Prengaj ishte promotori i fitores me tre golat e tij, ndërsa golin tjetër e shënoi futbollisti i ardhur nga Tirana, Serxho Tafa.

arberi

Krutanët shënuan dy gola me Franc Marinajn dhe Dejvi Kapllanin. Loja ka qenë nën komandën e vorakëve dhe shumë shpejt vjen goli. Në minutën e 19të paraguaiani Peralta fiton penallti, që e kthen në gol Prengaj. Pas 19 minutave, Prengaj shënon golin e dytë për Vorën. Krutanët vendosin topin në qendër dhe menjëherë kemi një shpërthim të Xhuljo Mehmetit, që pason bukur te Marinaj, i cili shënon.

2-1 u mbyll pjesa e parë. Fraksionin e dytë Vora e nisi me golin Tafës, ndërsa në minutën e 55-të Prengaj shënon golin e katërt për Vorën dhe të tretin personal. Ndërsa Dejvi Kapllani në minutën e 59-të shënoi golin e dytë të krutanëve. Më pas loja, për gati 30 minuta, i ka ngjarë një test stërvitor.

Klodian Arbëri- Trajneri i Vorës pas ndeshjes u shpreh: “Kjo është Vora e vërtetë. Rikthimi te fitorja na bën optimist, pasi asnjëherë nuk e kam prerë optimizmin për të realizuar objektivat. Në radhë të parë ne duhet të bëjmë detyrat tona, të fitojmë ndeshjet një e nga një. Mundësia e ngjitjes direkte varet nga gabimet e dyshes kryesuese. Shpresojmë shumë në këtë drejtim, gjithsesi ne duhet t’i bëjmë hyzmetin edhe variantit tjetër, që është kualifikimi në ‘play-off’, ku duhet të zgjedhin rivalin”.

 Abdulla Dushku- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"