Është ndër më jetëgjatët në stafin teknik, Flamurtari tenton rikthimin e ish-trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 15:09

Është ndër më jetëgjatët në stafin teknik, Flamurtari tenton rikthimin e ish-trajnerit

Flamurtari tenton rikthimin e Luan Birçes. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë telefonuar ditët e fundit dhe i kanë ofruar detyrën e trajnerit të Flamurtarit. Vlonjati është ndër më jetëgjatët në stafin teknik të kuqezinjve dhe ka pritur e përcjellë shumë trajnerë, ndërsa gjatë gjithë kohës ka mbajtur rolin e përgatitësit të portierëve. Kur ekipi ishte ende në Superiore, ai ka qenë për disa kohë edhe trajner i komanduar.

luan birce

Duke qenë se e njeh mjaft mirë ambientin dhe mentalitetin e skuadrës, në klub kanë menduar se Birçe do të ishte i duhuri për të marrë drejtimin e pankinës në këtë situatë të vështirë. Vlonjati njihet si punëtor dhe njeri “i shtruar”. Burime konfidenciale pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se Birçe nuk e ka refuzuar ofertën që i është bërë, por as nuk e ka aprovuar. Kjo do të thotë se trajneri vlonjat duket se po e mendon mirë një rikthim pranë Flamurtarit.

birce

Kujtojmë se Birçe dha dorëheqjen si përgatitës i portierëve kur ekipi ra nga kategoria sezonin e shkuar, duke marrë shkas nga problemet e shumta financiare që shoqërojnë klubin. Por, nëse drejtuesit i japin siguri për financat dhe sigurisht i likuidohen disa detyrime të prapambetura, janë shumë të mëdha shanset që ai të pranojë të “gradohet” si trajner i Flamurtarit.

XHAFA – Pas largimit të Dritan Resulit, Fjodor Xhafa konsiderohej si pasuesi i tij. Edhe pse emri i vlonjatit lakohet ende për këtë detyrë, ai ka qenë i pavendosur për të marrë drejtimin e skuadrës.

Kjo nuk lidhet aspak me situatën jo të mirë që po kalon ekipi, por me atë që Xhafa nuk dëshiron të lërë tani në fund ekipin e U-19- vjeçarëve të Flamurtarit, por kërkon që të mbyllë sezonin me ta e më pas të vendosë. Gjithsesi, Xhafa nuk e ka refuzuar kërkesën e klubit për të qëndruar pranë trajnerit të komanduar Rui Sampaio, për ta ndihmuar atë si zv.trajner.

SAMPAIO

PRAPASKENA – Administratori Sinan Idrizi ende nuk e ka dhënë verdiktin përfundimtar për pankinën. Përgatitësi atletik Rui Sampaio vijon të mbetet trajner i komanduar. Burime pranë klubit pohojnë se situatat mund të ndryshojnë në çdo moment. Kjo, në varësi edhe të rezultateve.

flamurtari-oriku

E ardhmja e pankinës vlonjate do të vendoset pas ndeshjes me Pogradecin, kur drejtuesit do ta shqyrtojnë edhe një herë nëse do të duhet që të gjejnë një trajner të ri për ndeshjet e “play out”-it apo do të vazhdojnë me portugezin. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që nëse nuk do të gjendet një kandidat që të pranojë ofertën e klubit e të marrë një risk të madh përsipër, atëherë do të jetë Rui Sampaio ai që të emërohet zyrtarisht trajner deri në fund të sezonit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"