Elbasani tani drejtohet me modelin anglez, firmos edhe sulmuesi i njohur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2021 | 20:14

Elbasani tani drejtohet me modelin anglez, firmos edhe sulmuesi i njohur

Ngjitja në Kategorinë e Parë duket se është kthyer në një “fiksim” për Elbasanin, ndaj po nxitojnë të mbyllin marrëveshjet me lojtarët e kontaktuar. I konfirmuari i parë është një emër i njohur i futbollit shqiptar dhe bëhet fjalë për sulmuesin Erjon Mustafaj. 32-vjeçari që më herët ka milituar në Superiore dhe Kategorinë e Parë, ka hedhur firmën në kontratë me verdheblutë dhe shihet si një investim i rëndësishëm për elbasanasit.

erjon mustafaj elbasani

Bëhet fjalë edhe për një rikthim të peqinasit, i cili më herët ka qenë pjesë e skuadrës më sezonin 2015-2016, ndaj bëhet fjalë për një lojtar që e njeh mirë ambientin në këtë klub. Mësohet se vendimtare për të bindur sulmuesin ka qenë marrëdhënia personale me trajnerin, Anxhelo Suta, i cili i ka bërë të qartë projektin dhe në fund sulmuesi ka vendosur që të vijojë sërish bashkëpunimin me verdheblutë. Afrimi i tij është një shenjë e mirë për ringritjen e klubit, i cili kërkon me patjetër ngjitjen në të Parën. Më herët, elbasanasit kanë arritur një marrëveshje paraprake me mesfushorin, Klevis Roshi, edhe ky një emër i spikatur i futbollit shqiptar, i cili do t’i sjellë skuadrës jo vetëm cilësi, por edhe eksperiencë.

STIL ANGLEZ – Ndoshta fjala e duhur që e përmbledh situatën e vështirë të Elbasanit është ajo “anglez”, për shkak të kalvarit me aksionet. Mirëpo, në këtë merkato, verdheblutë janë duke ndjekur modelin anglez me trajnerit Suta që ka edhe rolin e menaxherit. Është pikërisht vetë trajneri që ka marrë dakordësinë e presidencës që të merret me merkaton dhe të afrojë lojtarët që mendon se i bëjnë punë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Të paktën, nga dy afrimet e para të deritanishme, ka qenë vetë dora e teknikut që i ka bindur futbollistët. Mësohet se në vijim Suta do të konkretizojë të tjera afrime, edhe nga tregu i huaj derisa të arrijë në kompletimin përfundimtar të ekipit. Gjithsesi, në Elbasan nuk ka ende një datë se kur mund të nisin përgatitjet, por burimet pohojnë se në muajin gusht do të zbresin në fushë dhe do të nisin punën për arritjen e objektivave këtë sezon.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"