EKSKLUZIVE/ “Shqipëria mund të bënte më tepër”, Lorik Cana analizon kuqezinjtë: Kurrë një short kaq i favorshëm për Europianin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 0:25

EKSKLUZIVE/ “Shqipëria mund të bënte më tepër”, Lorik Cana analizon kuqezinjtë: Kurrë një short kaq i favorshëm për Europianin

Me Lorik Canën është gjithnjë kënaqësi të bisedosh, por shumë e vështirë ta bindësh të flasë për Kombëtaren dhe realitetin futbollistik shqiptar. Duket se është një strategji e tij për të mos e rënduar ambientin kur gjërat nuk shkojnë mirë. Këtë herë shfrytëzuam një mbrëmje Champions-i në “Tring” për ta bindur kapitenin legjendar të Shqipërisë që të flasë për kuqezinjtë. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” ai i prek të gjitha temat, që nga shorti për “Euro 2024”, Kosova dhe padyshim e kaluara e tij te Lacio e Marseja.

LORIK CANA 1

Lorik si ju është dukur Kombëtarja?
Në edicionin e fundit, pra në Ligën e Kombeve, mund të kishin bërë më tepër. Skuadra ka cilësi dhe kjo nuk diskutohet. Megjithatë, unë nuk jam më pjesë e skuadrës. Natyrisht, e ndjek Kombëtaren, por nuk marr përsipër të analizoj se çfarë gjërash nuk shkuan mirë. Vlerësimet nga jashtë ndonjëherë nuk janë shumë realiste.

Ç’mendim keni për shortin e Europianit?
Shumë i mirë.

Vërtetë?
Po, vërtetë.

Pse mendoni që është i tillë?
Sepse mes Çekisë dhe Polonisë, detyra e Shqipërisë është që të lërë poshtë vetes vetëm një prej tyre.

Por ato gjithsesi janë ekipe të vështira…
Po, padyshim, nuk ka asgjë të garantuar në futboll. Por mund të kishim në short skuadra shumë më të vështira se ato. Nuk mendoj se kemi pasur ndonjëherë shans të tillë në të kaluarën.

cana armeni

Është më i favorshëm ky short apo ai kur Shqipëria shkoi në Europian në 2016- ën?
Në 2016-ën grupi ishte shumë më i balancuar. Dhe po, ishte Armenia, por e mbani mend besoj që i mori pikë Danimarkës, e mundi Portugalia me 3 gola të Ronaldos dhe Serbia e ka mundur me shumë vështirësi me një penallti në fund. Pastaj mos harroni, ne nuk kishim eksperiencën që kemi sot në arenën europiane. Tani është një rrugë e shkelur, ndërsa atëherë rruga duhej hapur.

Ç’mendim keni për Brojën dhe a jeni dakord me mënyrën se si është menaxhuar ai?
Broja është një lojtar shumë cilësor për Shqipërinë. E mira është që t’i merret maksimumi. Por Shqipëria ka gjithashtu edhe lojtarë të tjerë të shkëlqyer që luajnë sot në nivele të larta. Sa i përket rendimentit dhe menaxhimit të tij në Kombëtare nuk dua ta komentoj sepse nuk jam aty brenda skuadrës si dikur. Nuk është korrekte të bëj komente nga jashtë.

Ç’mendim keni për Nedim Bajramin?
Shumë i mirë. Më pëlqen realisht shumë, sepse ka cilësi dhe mund të luajë në disa pozicione në fushë.

Pse në Kombëtare nuk ka arritur të jetë protagonist?
Nuk e di, nuk është pyetje për mua.

Si ju duket grupi i Kosovës në “Euro 2024”?
Më i vështirë sesa ai i Shqipërisë.

Cana Kace dhe Xhaka

Pse?
Sepse është më i balancuar. Kosova ka gjithashtu një grup shumë të mirë lojtarësh, por u duhet më shumë përvojë.

Na duket ne gazetarëve apo Kosova është më e kompletuar teknikisht?
Jo, konstatimi është i drejtë. Në fazën ofensive Kosova ka shumë potencial. Por duhet të përpiqet të rregullojë disa gjëra në mbrojtje. Duhet të jetë më e balancuar mes reparteve.

Si i keni marrëdhëniet me Lacion sot?
Marrëdhënia ime me Lacion është Igli Tare. Kemi kontakte. Ka edhe ndonjë lojtar që është ende nga koha ime, Radu, ndërsa pjesa tjetër ka ndryshuar. Natyrisht ka punonjës të klubit me të cilët kam ende një raport të mirë dhe ndonjëherë rastis të takohemi në Romë, sepse unë aty jetoj.

cana tare

Strakosha bëri mirë apo gaboi që iku nga Lacio?
Nuk mund të komentoj vendimet e të tjerëve. Varet, sepse ka rrethana të ndryshme, që nga raporti me trajnerin, por edhe prioritetet që ke në jetë. Unë di që Tare ka dashur shumë që ai të qëndronte. Kaq mund të them.

Ju keni lënë gjurmë edhe te Marseja. Sot lidhja juaj është me fortë me Lacion apo me Marsejën?
Të them të drejtën te Marseja kanë ndryshuar shumë gjëra. Natyrisht, kam ende një raport të mirë me presidentin e klubit, por pjesa tjetër kanë ndryshuar. Ah, po, më erdhi keq që nuk erdhën në finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë. Doja shumë që të ishin ata në finale me Romën.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE / “Nuk zgjedh portierin”, Lorik Cana tregon formacionin e Shqipërisë nëse ai do të ishte trajner: Mund të funksiononte me 4-3-1-2 (FOTO)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"