EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Takut: Do kthehem, Korça të më ruajë medaljen. Ja pse nuk ika te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 22:56

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Takut: Do kthehem, Korça të më ruajë medaljen. Ja pse nuk ika te Partizani

Afrim Taku nuk ka në plan që ta mbyllë këtu me futbollin dhe aq më pak me Shqipërinë. Edhe pse ndodhet në Amerikë momentalisht, ai paralajmëron se mund të rikthehet shumë shpjet. Megjithatë, është në përpjekje për të gjetur opsionin e duhur për të qenë edhe pranë bashkëshortes.

Ish-mesfushori i Tiranës dhe Skënderbeut, vjen në një rrëfim ndryshe për “Panorama Sport”, ku zbulon të gjitha të pathënat e karrierës së tij, duke filluar nga raportet me Josën apo edhe borxhet e mbetura. Modeli i tij në këtë sport është Havier Zaneti, ndërsa thekson se e vetmja gjë që do të donte të ndryshonte nga karriera e tij, ishte rënia e bardhebluve, ndërsa me humor u kujton korçarëve që t’i ruajnë medaljen e titullit.

Afrim-Taku

U bënë muaj që je larguar në SHBA, këtë herë i ke dhënë përfundimisht fund me futbollin shqiptar?

E kam provuar edhe më parë, kur u largova për një vit. Këtë herë, shkëputja ishte vetëm 6 muaj. Jam ende në proces për të vendosur sesi do të veproj. Por, po e mendoj seriozisht që të kthehem për të luajtur sërish. Nuk më rrihet larg futbollit. Kam nevojë të balancoj familjen dhe futbollin, ndaj jam menduar kaq gjatë për hapin e radhës që do të hedh për veten time.

Me çfarë po merresh aktualisht në Amerikë?

(Qesh) Nuk e kam provuar akoma të punoj këndej. Gjatë kësaj kohe, vetëm po stërvitem. Po mundohem të mbaj formën fizike. Kur ka bashkëshortja kohë bosh, atëherë bëjmë aktivitete familjare dhe udhëtime.

Skënderbeu u shpall kampion, të vjen keq që nuk je këtu për të ngritur trofeun, meqenëse dhe kontributin tënd?

Natyrisht që do ishte kënaqësi të isha prezent për të ngritur trofeun. Por, më bëhet shumë qejfi që u shpallën kampionë, edhe pse kjo ishte e qartë që në dhjetor, duke marrë parasysh ecurinë e dy fazave të para. Gjithsesi, shpresoj që medaljen të ma ruajnë edhe mua (qesh).

Skënderbeu ka një çështje të hapur në KAS, beson se mund të fitojnë pafajësinë dhe të marrin pjesë në Champions?

Shpresoj që çdo gjë të shkojë sa më mirë për ekipin e Skënderbeut. Mendoj se kjo situatë është fatkeqësi jo vetëm për klubin, por për të gjithë futbollin shqiptar. Uroj që rezultati final të jetë pozitiv dhe t’i shohim së shpejti në Champions.

taku

Cili ka qenë momenti më i bukur dhe më i vështirë që ke kaluar në Korçë?

Ka pasur shumë momente të bukura. Për t’u përmendur janë ndeshjet e Europa League, që për mua ishin shumë të veçanta, sepse për herë të parë po luaja në grupe. Gjithashtu, ka pasur disa ndeshje kyç në kampionat, si për shembull ndeshja me Kukësin, e cila vendosi pak a shumë se cili do e fitonte kampionatin. Për sa i përket momentit më të vështirë, më bie të them zhvendosja në fillim të sezonit te një ekip tjetër. Por e mora që në fillim si sfidë, që të ambientohesha sa më shpejt dhe mendoj se çdo gjë shkoi shumë mirë.

Tirana u ngjit në Superiore, ashtu si të gjithë prisnin. U gëzove?

Sigurisht, më bëhet shumë qejfi që Tirana u ngjit në Superiore, nuk ishte e përshtatshme që një klub aq i madh të luante në Kategorinë e Parë. Tani uroj që të kenë sa më shumë suksese.

Nuk u largove “paqësisht” nga Tirana. Nëse do të ktheheshe pas, çfarë do të ndryshoje, qoftë edhe nga raporti me Josën?

Unë asnjëherë nuk bëra deklaratë lidhur me atë situatë që u krijua me Tiranën, kështu që nuk kam ndërmend të flas as tani. Gjithsesi, për profesorin kam respekt. Nga sezoni me Tiranën, diçka specifike që do doja të ndryshoja, do të ishte evitimi i rënies nga kategoria.

A ke folur me ndonjë nga lojtarët bardheblu, a i urove për ngjitjen?

Jo, me thënë të drejtën. Nuk kam folur me askënd kohët e fundit. Me Karabecin i ruaj kontaktet, flasim në disa raste.

Nëse të vjen ndonjë ftesë për t’u rikthyer si bardheblu, do e pranoje?

S’jam i sigurt, çdo gjë është e hapur. Te Tirana, realisht do doja të ndodhnin disa ndryshime, që tifozët të ktheheshin në stadium!

Si është e vërteta e negociatave me Partizanin, pse nuk shkuat deri në firmë?

Unë gjithmonë e vlerësova interesimin e Partizanit, por kishte rrethana që ndikuan dhe nuk shkuan negociatat deri në fund. Më tepër se kaq nuk mund të them.

Cili është miku më i mirë që ka pasur Taku në futboll?

Eduard Gjini, pa diskutim. Jo vetëm mik futbolli, por edhe jashtë profesionit.

Mbrojtësi më i vështirë që jeni përballur, kur u konvertove në një “bomber”?

Nuk mund të veçoj ndonjë mbrojtës specifik, por mund të them që kur luaja për Tiranën, mbrojtja e Skënderbeut ka qenë e fortë, sidomos me trajnerin Daja në krye.

Po sulmuesi që të ka vendosur më shumë në vështirësi si mbrojtës?

Mund të përmend Pero Pejiçin, edhe pse punën më të madhe për të mbuluar atë e kane pasur mbrojtësit qendrorë.

Trajneri më i veçantë që ke punuar?

Me thënë të drejtën, kanë qenë disa trajnerë që mund të përmend, me të cilët ka qenë privilegj të punoj: trajneri Daja, Magani, Rubio, Lonçareviç. Së fundi isha me Dajën dhe është trajner shumë i aftë për strategjinë e lojës, di si t’u marrë më të mirën lojtarëve.

Gjatë karrierës tënde nuk ke pasur shumë presidentë, por kë do veçoje si më të mirin?

Siç e thatë dhe vetë, nuk kam pasur shumë presidentë, kështu që s’kam si të gjykoj.

Me financat si ka qenë raporti, të kanë mbetur borxhe?

Haha, pa koment.

Goli më i bukur që mban mend?

Të gjithë golat që kam shënuar kanë pasur të bukurën e vet në vetvete, megjithatë në mendje më vjen direkt goli që kam shënuar me fanellën e Tiranës në një finale Superiore, ka qenë viti 2012, kur fitonim kundër Skënderbeut, me shifrat 1-2.

A të vjen keq që nuk debutove me Kombëtaren, edhe pse ishe shumë pranë?

Absolutisht, mund të them që Kombëtarja është krenari. Për sa kohë unë do vazhdoj të luaj futboll, do e kem gjithnjë objektiv që të bëhem sërish pjesë e përfaqësueses kuqezi.

Si është futbolli në Amerikë, krahasuar me Shqipërinë?

Futbolli në Amerikë është më pak taktik dhe më shumë fizik.

A ke pasur ndonjë lojtar që e ke ndjekur si model gjatë karrierës tënde?

Për mua model ka qenë Havier Zaneti, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"