EKSKLUZIVE/ Rinovon Sembene, Maget i kthen përgjigje negative Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 22:49

EKSKLUZIVE/ Rinovon Sembene, Maget i kthen përgjigje negative Partizanit

Partizani po i drejtohet fundit të sezonit dhe pjesës vendimtare të tij, por përveç titullit kampion, drejtuesve i duhet të spostojnë vëmendjen edhe te kontratat. Siç e kemi thënë, situata me lojtarët në fund kontrate aktualisht nuk është pozitive, por në këto ditë të fundit situata po ndryshon gradualisht për mirë.

RRAPAJ MAGET

“Panorama Sport” mëson se klubi i kuq ka arritur marrëveshjen përfundimtare me Saliu Sembene. Kontrata aktuale e mbrojtësit skadon në verën e vitit të ardhshëm, por në ditët në vijim pritet të njoftohet rinovimi i tij deri në verën e vitit 2026, duke zgjatur me një vit bashkëpunimin me senegalezin, me pagë ndjeshëm më të lartë. Misioni për të arritur deri te finalizimi i këtij operacioni ka rezultuar mjaft i komplikuar, edhe për shkak të mosmarrëveshjeve që lojtari dhe klubi kanë pasur në sezonin e shkuar, kur ai kërkoi largimin dhe në formë proteste refuzoi të stërvitej bashkë me Maget. Tashmë gjithçka mes dy palëve është sheshuar dhe Sembene do të vijojë të vishet i kuq edhe për dy sezone. Rinovimi me 22- vjeçarin vjen në një moment kur negociatat me Sotën janë thuajse të mbyllura dhe palët kanë vendosur të ndahen. Senegalezit pritet t’i besohet më shumë në vijim.

MAGET – Ndryshe nga Sembene, që ka vendosur të rinovojë me Partizanin, gazeta mëson se Maget Gueje nuk pritet ta bëjë këtë. Partizani është përpjekur me të gjitha mënyrat që të sigurojë rinovimin me mesfushorin me një rritje të ndjeshme të pagës, por pa sukses. Përgjigjet e deritanishme të 21- vjeçarit dhe menaxherëve të tij kanë qenë negative, duke sinjalizuar se janë të gatshëm vetëm të respektojnë kontratën, që skadon në verën e vitit 2025. Partizani nuk pritet të dorëzohet për 21- vjeçarin dhe do të tentojë deri në verë për të siguruar rinovimin, pavarësisht se shanset janë më se minimale. Pritet që klubi të detyrohet ta shesë senegalezin në merkaton e verës. Ofertat e para kanë mbërritur që tani. Para pak javësh gazeta njoftoi se edhe Zoran Zekiç e kërkon me ngulm tek Osijeku. Klubi pritet arkëtojë një shifër mbi 600 mijë euro.

TË TJERËT – Lojtarë të tjerë, të cilëve u skadon kontrata së shpejti janë edhe emra si Atanaskoski, Murataj apo Cara. Klubi po provon të negociojë edhe me ta, teksa me dy të fundit shanset e arritjes së akordit janë mjaft të mundshme, ndikuar nga lidhja e madhe me klubin dhe nga fakti që trajneri Shehi i konsideron si shtylla të ekipit. Nga ana tjetër, të vështira duken negociatat me Atanaskoskin, që pas dy viteve pozitive si titullar në Superiore, ka propozime nga jashtë vendit dhe pas fundit të sezonit do t’i shqyrtojë me kujdes.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"