EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me trajnerin e Shqipërisë, zbardhet e vërteta për ish-futbollistin e Interit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 22:33

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me trajnerin e Shqipërisë, zbardhet e vërteta për ish-futbollistin e Interit

Shqipëria përveç Katarit, ka përpara edhe dy miqë sore me Italinë dhe Armeninë, ndërkohë që një temë e nxehtë është edhe ajo e trajnerit, ku kemi hyrë në muajin e fundit të kontratës me Edi Rejën.

di biaxho

Emri i Luixhi di Biaxhos ka qarkulluar prej kohësh, si një nga kandidatët për të drejtuar Kombëtaren shqiptare dhe ai nuk është i panjohur për opinionin sportiv në vend.

Kontaktet e para kanë qenë kohë më parë, ku atij iu propozua posti i drejtorit teknik në FSHF dhe kjo u konfirmua edhe nga presidenti Duka në një prononcim së fundmi, kur ishte gati largimi i Kamolezes.

Edhe pse dje ka qarkulluar një lajm në mediat italiane që Di Biaxho ka refuzuar të drejtojë Kozencën në Itali dhe është pranë firmës me FSHF-në, ai nuk shihet si pasuesi i Edi Rejës.

Edi Reja

REJA E KA MBYLLUR

Edi Reja nuk do të rinovojë kontratën me Kombëtaren shqiptare, edhe pse trajneri e ka shprehur hapur dëshirën për të qëndruar dhe vazhduar punën me Shqipërinë.

Nga ana tjetër, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk e ka konfirmuar zyrtarisht në asnjë moment qëndrimin e tij, megjithëse edicionet zyrtare kanë mbaruar dhe pritet që të nisë beteja finale për Europianin.

Në prononcimet e tij, kreu i FSHF-së ka qenë i kujdesshëm dhe nuk ka thënë as që Reja do të ikë.

Por për “Panorama Sport”, burime pranë presidentit Duka bëjnë me dije që ai nuk ka ndërmend të rinovojë me trajnerin 77-vjeçar dhe pritet që të zgjedhë një trajner të ri në krye të stolit kuqezi.

Ndërkohë, i pyetur gjatë inaugurimit të fushës në Vorë, Duka i ka mbyllur derën çdo lajmi që qarkullon, duke e quajtur abuzim një gjë të tillë:

“Trajneri është në fuqi, akoma nuk kemi një vendim. Sinqerisht nuk kemi asnjë bisedë tjetër me asnjë trajner tjetër. Çdolloj lajmi që mund të qarkullojë për ne është abuzim.

Akoma nuk kemi prerë marrëdhëniet me trajnerin aktual dhe akoma nuk kemi filluar bisedimet me një trajner të ri”, theksoi Duka.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"