EKSKLUZIVE/ Nga gara te gjykimi ndaj Flamurtarit, administratori Idrizi: Grupi më bind, por nuk dua të bëhemi qaramanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2023 | 9:49

EKSKLUZIVE/ Nga gara te gjykimi ndaj Flamurtarit, administratori Idrizi: Grupi më bind, por nuk dua të bëhemi qaramanë

Ndonëse shfaqi pa kënaqësi për lojën në miqësoret e verës, nisja e kampionatit i ka ndërruar mendjen Sinan Idrizit. Flamurtari vërtetë barazoi në Luz, por administratori nuk sheh asnjë problem. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai nuk i kursen fjalët e mira për ekipin. E megjithatë, kjo nuk do të thotë që do të heqë dorë nga kërkesa e llogarisë për vazhdimësinë.

SINAN IDRIZI

“Në ndeshjen me Luzin, pashë në fushë një Flamurtar që donte të bënte më të mirën dhe kërkues. Ishte një ekip super i organizuar. Të humbasësh raste, do të thotë që ekipi punon dhe kërkon në fushë. Ishte një punë e mrekullueshme. Tani na mbetet që të urojmë të kemi fat për ndeshjet në vazhdimësi të këtij kampionati, që sapo ka nisur”, shprehet fillimisht Idrizi.

BESIMI DHE MISIONI – Beson te ky grup, e megjithatë një “sms” e ka për grupin. Nuk dëshiron që të përsëriten gabimet e një sezoni më parë, pasi është lodhur nga zhgënjimet. “Unë kam besim te kjo skuadër. E kam thënë që është detyrim të arrijmë objektivin. Vlora dhe vlonjatët nuk presin më. Ky është mesazhi im për këta lojtarë dhe për stafin teknik. Nuk duhet të përsërisim gabimet e një viti më parë. Tani na mbetet që të shohim se çfarë do të na ofrojnë. Nuk dua të na zhgënjejnë në shije. E nisëm mirë, tani të vazhdojmë të bëjmë detyrën. Kjo skuadër më pëlqen”, shtoi numri një i klubit kuqezi.

RIVALËT DHE INVESTIMI – Sinan Idrizi mendon se Flamurtari duhet të ketë rival vetëm veten. E megjithatë, nuk “snobon” as skuadrat e tjera. Në garë i shikon thuajse të gjitha skuadrat. “Kjo është shumë klasike. Flamurtari ka rival vetëm veten e tij. Në fakt kjo kategori ka ekipe të një niveli të lartë. Të gjitha klubet kanë investuar dhe kanë bërë mirë. Më thuaj ti mua, cila nuk është skuadër e denjë për garë? Nuk është Vora, Bylisi, Elbasani, Apolonia apo Kastrioti? Janë ekipe të një niveli të mirë dhe që janë të gjithë në garë. Kanë investuar në skuadra dhe në infrastrukturë. Është një kampionat i bukur dhe shumë i luftuar. Gjithsesi, Flamurtari rival ka vetëm veten e tij”, thotë administratori.

BYLISI DHE GJYKIMI – Nga ndeshja e nesërme kërkon jo vetëm maksimumin, por edhe të shijojë “kuzhinën”. “Kundër Bylisit nuk pres as më shumë dhe as më pak nga ajo që skuadra bëri në ndeshjen e parë. E dinë vetë ata se çfarë duhet të bëjnë. Ne presim të shijojmë. Aq më shumë që e luajmë në shtëpi. Unë kam bindjen se skuadra do të na kënaqë, me lojë dhe me rezultat. Presim fitoren. Nuk dua që djemtë t’i vë në presion, pasi jam i bindur që edhe ata e dinë objektivin si të gjithë ne. Presim shumë nga kjo skuadër. I kanë të gjitha mundësitë për të bërë mirë. Stafit i është plotësuar çdo kërkesë që ka pasur për futbollistë. Grupi është i konsoliduar, tani duam rezultate”, shprehet administratori Sinan Idrizi. I pyetur në fund për gjykimin, kreu i klubit thotë: “Mos të bëjmë qaramanin tani”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"