EKSKLUZIVE/ “Ndeshje shumë e vështirë me Elbasanin”, Liçaj: Më ktheu Idrizi, ja si Flamurtari kap elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2024 | 10:11

EKSKLUZIVE/ “Ndeshje shumë e vështirë me Elbasanin”, Liçaj: Më ktheu Idrizi, ja si Flamurtari kap elitën

Edmond Liçaj ka një mision të madh. Bashkë me Eqerem Memushin duhet ta çojnë Flamurtarin ku e ka vendin, në elitë.

Liçaj

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Liçaj thekson se janë të gjitha mundësitë për objektivin, pasi në lojë është edhe “play off”. Ai thekson se duhet skuadër agresive dhe pret një rezultat pozitiv në Elbasan. Tregon se e riktheu Idrizi dhe e cilëson gjithmonë detyrë kur e thërret Flamurtari.

Liçaj si e pritët rikthimin te Flamurtari?

Kemi qenë dhe jemi pjesë e Flamurtarit dhe rikthemi. Bashkimin me Flamurtarin e pret gjithmonë mirë, si ekipi i qytetit dhe zemrës. Te Flamurtari kemi qenë, na vjen mirë që të rikthehemi.

Kush ju telefonoi për të qenë pjesë e Flamurtarit?

Patjetër që ishte dëshira e presidentit Sinan Idrizi që unë të rikthehesha te Flamurtari. Për këtë e falënderoj.

Eqerem Memushi është trajneri i ri i skuadrës dhe ju bashkëpunëtori më i afërt. Si e shikoni?

Me Memushin kam punuar. Është diçka pozitive për skuadrën.

Kishte ardhur koha që drejtimin e Flamurtarin ta merrnit ju?

Koha është gjithmonë. Këtu kanë kaluar shumë trajnerë. Dikur kanë shkuar mirë dhe diku keq. Kështu është futbolli. Mundësitë për të bërë mirë janë. Ne e njohim ambientin në Vlorë.

Në Elbasan debuton trajneri i ri. Çfarë parashikoni?

Është një ndeshje shumë e vështirë. Elbasani ka një skuadër që kryeson kampionatin. Nëse ekipi funksionon mirë dhe është i harmonizuar me detyrat që jep trajneri, suksesi është aty.

Si ia del ky Flamurtar, sa janë mundësitë?

Mundësitë janë të gjitha. Është një ekip i sponsorizuar dhe financuar mirë. Grupin e ka të plotë dhe me eksperiencë.

Çfarë i duhet ekipit në këtë moment?

Duhet një Flamurtar agresiv dhe të përmirësojë disa gjëra. Duhet më shumë agresivitet, kjo është e para. Një ekip që plotëson detyrat, të tjerat vijnë pas. Duhet një ekip që të mos fle gjumë, apo të rri si uji ndenjur, të sulmojë kundërshtarin. Të tjerat pastaj përmirësohen me kohën, duke luajtur me kujdes dhe kontroll. Duhet që të jenë shumë taktikë, por i rregullon vetë loja. Sa më shumë aksione të thyesh aq më shumë do të ndërtosh dhe duke rritur numrin e aksioneve rritet edhe cilësia.

Është i arritshëm objektivi, Superiorja?

Për mendimin tim në pozitat e tanishme, jemi në vend të katërt dhe “play off” është i siguruar. Me gjithë respektin që kam për skuadrat e tjera që kanë punuar dhe kanë bërë merkato, ne jemi Flamurtari. Por të mundi Luzi, nuk u falet trajnerëve që kanë punuar. Pavarësisht nga interesimi, merkato dhe angazhimi, këto janë ekipe që Flamurtari nuk mund t’i falë, sidomos në shtëpi. Me Elbasanin është ndeshja e parë. Po e kaluam, na i shkurton distancat. Kështu që shpresojmë që të hyjmë direkt, pasi me “play off” ke gjithmonë probleme. Do përgatitje të madhe.

Elbasani dhe Bylisi janë shkëputur, a realizohet objektivi?

Një fitore në Elbasan do të ishte perfektë, pastaj luajmë në Vlorë. Sistemi tripikësh ka avantazhe pasi shkurton diferencat.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"