EKSKLUZIVE/ “M’u shtua përgjegjësia”, Ribaj flet si sekretar klubi: Do të jetë viti i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2023 | 22:20

EKSKLUZIVE/ “M’u shtua përgjegjësia”, Ribaj flet si sekretar klubi: Do të jetë viti i Flamurtarit

Andi Ribaj u rikthye te Flamurtari, këtë herë jo për të luajtur, por si drejtues. Sulmuesi e mbylli me futbollin në moshën 33- vjeçare, për të provuar veten në një eksperiencë totalisht të re.

ribaj

I është besuar roli i sekretarit të klubit, që fieraku e cilëson një përgjegjësi të madhe. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni flet edhe për momentet e mira dhe ato të vështira në karrierë. Ndërsa shpreson që ky të jetë viti i kuqezinjve.

Si ndihet Ribaj, tashmë me detyrën e re, si sekretar i përgjithshëm i klubit?

Të them të drejtën është një detyrë e rëndësishme në karrierën time dhe dua që besimin, të cilin më ka dhënë presidenti Sinan Idrizi t’ia shpërblej me punë. Jam i angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën. Detyrën e re e vlerësoj si një privilegj që më është bërë. Më jepet mundësia që të vazhdoj të jap kontributin tim për Flamurtarin, këtë klub me histori të madhe dhe traditë.

Kush jua bëri ftesën për postin drejtues?

Ftesën ma bëri presidenti Idrizi.

E pranuat direkt apo kërkuat kohë të mendoheshit?

Jo, jo. Nuk kishte pse të mendohesha. Propozimin e pranova direkt, sepse ambientin e njoh shumë mirë. Në këto kushte nuk kisha si ta refuzoja, pasi jam ndier shumë mirë këtu në Vlorë. Dua që të falënderoj shumë presidentin për këtë post.

Jeni në një moshë ku mund të vazhdonit të luanit. Me detyrën e re do të thotë se “keni varur këpucët në gozhdë” tashmë?

Po, patjetër që me detyrën e re e mbylla karrierën si futbollist. Tani jam shumë i preokupuar për të dhënë maksimumin si sekretar i përgjithshëm i klubit.

Cili ka qenë momenti më i mirë i karrierës suaj si futbollist?

Momente për mua ka shumë të mira. Por si një përjetim të veçantë do të veçoja titullin kampion që fitova me Skënderbeun.

Keni pasur momente të vështira?

Të jem i sinqertë, më i vështiri ka qenë kur Flamurtari ka rënë në Kategorinë e Dytë. Aty u ndjeva shumë keq.

Cili ka qenë idhulli juaj që ju ka frymëzuar në futboll?

Në fakt nuk ka qenë një, por dy. Ronaldo “fenomeni” dhe Benzema.

E nisët në Fier karrierën, por e mbyllët në Vlorë. Na zbuloni pak çfarë ju lidh me Vlorën?

Kam lidhje të forta me të dyja qytetet. Jetoj në Fier dhe vendlindjen e kam në Vlorë.

Mendoni se do të jetë ky viti i Flamurtarit?

Shpresoj shumë që të jetë viti i Flamurtarit. Presidenti Sinan Idrizi ka bërë investime të mëdha. Të gjithë duhet t’ia shpërblejmë me ngjitjen në Superiore.

Çfarë premtoni në detyrën e re?

Çfarë premtoj? Punë dhe vetëm punë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"