EKSKLUZIVE/ Mensah: Titulli mbetet i Partizanit, meritoj të luaj më shumë! Ja pse nuk e festova golin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 20:27

EKSKLUZIVE/ Mensah: Titulli mbetet i Partizanit, meritoj të luaj më shumë! Ja pse nuk e festova golin (E PLOTË)

Partizani ka në skuadër zëvendësuesin më efektiv të Kategorisë Superiore. Alfred Mensah shënoi të shtunën golin e pestë në kampionat, teksa 4 i ka shënuar si i aktivizuar nga stoli. Ganezi ka arritur t’i japë ekipit 13 pikë me golat e tij.

MENSAH

Ganezi dorëzoi Skënderbeun në minutat e fundit dhe zgjodhi të mos festonte kundër ish-ekipit të tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mensah shprehet i lumtur që arriti të ndihmojë ekipin për fitoren e radhës, teksa nuk fshihet kur kërkon më shumë minuta nga trajneri Shehi. Sulmuesi ka bindjen se titulli qëndron në shtëpinë e kuqe.

Alfred, ktheheni të shënoni pas disa javësh dhe e bëni me një tjetër gol fitoreje. Sa i rëndësishëm ndiheni për skuadrën?

Para së gjithash është një fitore kundër një ekipi të fortë dhe shumë e rëndësishme për objektivat e ekipit. Ne punojmë të gjithë për të arritur qëllimin e përbashkët që i vendosim vetes. Unë personalisht pres gjithnjë e padurim që të luaj dhe të ndihmoj ekipin me golat e mi. Ky është prioriteti.

Fitorja e parë kundër Skënderbeut në këtë sezon, por ju vendosni të mos festoni golin. Çfarë vendi zënë korçarët në karrierën tuaj?

Gëzoj respekt të madh për atë klub. Ky që jam sot është edhe prej Skënderbeut dhe ende gëzoj një marrëdhënie shumë të mirë me “Ujqërit e Dëborës”.

Keni shënuar pesë gola në kampionat dhe i keni dhënë skuadrës katër herë fitoren. Sa i kënaqur jeni me atë që keni bërë në këtë sezon?

Siç e thashë, synimi im është të ndihmoj skuadrën, të luaj sa më shumë minuta dhe të shënoj akoma më shumë gola. Këto shifra nuk janë brenda objektivit tim, por kam besim se në vazhdim do të mund të shënoj sërish.

A mendoni se keni merituar të luanit më shumë minuta në këtë sezon?

Përgjigja ime është një “po” e madhe. Meritoj të luaj më shumë minuta. Gjithnjë kam punuar fort dhe dua të luaj më shumë.

Vllaznia fitoi gjithashtu dhe mbeteni të tretët, por tashmë Egnatia është pranë dhe mund të synoni edhe kreun. E shihni vendin e parë si synim?

Ne po punojmë fort si një ekip i bashkuar. Nuk do të heqim dorë deri në fund për të arritur objektivat që klubi ka vendosur. Jemi tërësisht në lojë. Nuk kemi përse të mos e kërkojmë edhe vendin e parë dhe më pas në “Final 4” të fitojmë ndeshjet për të mbrojtur titullin.

Tri fitore radhazi pas një ecurie prej shumë javësh me luhatje. Mendoni se Partizani ka ardhur në formën e duhur para “Final 4”?

Kemi një mentalitet të fortë si skuadër dhe jemi 100% të fokusuar ndeshje pas ndeshjeje. Çdo sfidë është e rëndësishme për skuadrën dhe ne do të vlerësojmë në maksimum çdo sfidë që na ka mbetur. Partizani është quajtur edhe si skuadra e ndeshjeve të mëdha. Mendoni se kjo traditë do të vazhdojë edhe në “Final 4” për fituar titullin? Sigurisht që po.

Do të japim maksimumin për t’i shkuar në fund dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Luani ndeshjen e radhës kundër Kukësit. Do t’ia dalë Partizani të regjistrojë fitoren e katërt radhazi?

Po, ka ardhur momenti të fokusohemi tërësisht te ndeshja e radhës. Duhet të përgatitemi fort në këto pak ditë dhe të sjellim fitoren e radhës.

Kontrata ju skadon në verën e vitit të ardhshëm, por a mund të ketë një largim nga Partizani në verë?

Tani për tani jam i fokusuar në pjesën e mbetur të sezonit, për t’i shkuar deri në fund garës. Sigurisht, gjithçka mund të ndodhë, por tani rëndësi ka ajo që do të ndodhë deri në fund të sezonit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"