EKSKLUZIVE/ “Mëkat që nuk na ndoqën tifozët”, Gurishta tregon emocionet si kuqezi: Luajtëm shumë mirë, nuk ishte çudi të luaje krah Bitrit e Markut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 18:33

EKSKLUZIVE/ “Mëkat që nuk na ndoqën tifozët”, Gurishta tregon emocionet si kuqezi: Luajtëm shumë mirë, nuk ishte çudi të luaje krah Bitrit e Markut

Erdenis Gurishta ishte vendosur titullar nga Edi Reja në miqësoren që Shqipëria barazoi 1-1 në Abu Dabi kundër Arabisë Saudite. Kapiteni i Vllaznisë flet nga Arabia ekskluzivisht për “Panorama Sport” se çfarë emocionesh ishin ato me fanellën kuqezi, por edhe ndjesia e të pasurit në krah një rival si Bitri apo Albion Marku.

shqiperi arabi saudite

Mbrojtësit i ka ngelur peng që ndeshja nuk u transmetua pasi sipas tij, përfaqësuesja zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në fushë. Ai shpreson që kjo ndeshje të mos jetë e vetmja, dhe të thirret sërish nga italiani për të përfaqësuar kombin e tij. Gurishta ka qenë edhe më përpara pjesë e ekipit Shpresa, teksa ka zhvilluar 6 ndeshje që në vitin 2015, ndërkohë që tani rikthehet të luajë me Kombëtaren A në moshën 27- vjeçare.

Erdenis, luajtët titullar me Kombëtaren ndaj Arabisë Saudite, mund të na përshkruani emocionet që keni ndier edhe pse ishte një takim miqësor?
Sigurisht që të veshësh bluzën e Kombëtares është një emocion i madh, kënaqësi dhe përgjegjësi. Përderisa të jepet mundësia të luash duhet të japësh maksimumin sepse me Kombëtaren nuk ka asnjëherë ndeshje miqësore.

Si shkoi ndeshja në këndvështrimin tuaj, duke qenë se nuk kishim mundësi që ta ndiqnim?
Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë. Jemi paraqitur mirë në fushë dhe të them të drejtën do të kisha pasur shumë dëshirë që të transmetohej, që ta ndiqnin të gjithë paraqitjen tonë, sepse vërtet luajtëm mirë.

gurishta reja babamusta

E nisët lojën si qendërmbrojtës në një vendosje me tre, ndryshe nga roli juaj që është në krah?
Mund të them se për mua nuk është një rol i ri sepse shumë kollaj mund të përshtatem edhe me tre qendërmbrojtës, kjo edhe për faktin se disa herë kam luajtur edhe tek ekipi im Vllaznia kur është dashur mundësia që zhvendosëm në qendër.

Po me rivalë si Bitri, Marku në krah, ishte disi e çuditshme?
Në kampionatin shqiptar jemi rivalë, por në Kombëtare këtë herë ishim partnerë. Nuk e di, nuk m’u duk shumë e çuditshme sepse të gjithë e dimë që jemi duke luajtur për Kombëtaren dhe secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën.

Si kanë qenë këto ditë nën drejtimin e një trajneri tjetër si Edi Reja?
Të them të drejtën nuk kemi pasur shumë seanca në dispozicion, por gjithsesi të gjithë çunat janë stërvitur me impenjim dhe dëshirë, sepse për shumë nga ne ishte hera e parë që na vinte ftesa dhe dëshira ishte shumë e madhe për gjithsecilin që të tregonte vlerat e tij.

A prisni që të thirreni sërish në ekipin kombëtar?
Unë do të jem i gatshëm kurdoherë dhe do të jap maksimumin për fanellën e kombit tim sa herë të më jepet mundësia dhe uroj që ftesa të vijë përsëri edhe në grumbullimet e tjera.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"