EKSKLUZIVE/ “Me Egnatian thjesht ndeshje radhe”, Shehi: E parakalojmë Vllazninë, sezoni vendoset në “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 8:50

EKSKLUZIVE/ “Me Egnatian thjesht ndeshje radhe”, Shehi: E parakalojmë Vllazninë, sezoni vendoset në “Final 4”

Partizani u ndal në një barazim pa gola në supersfidën e javës së 30-të të Kategorisë Superiore ndaj Vllaznisë, duke mos arritur të rrëmbejë vendin e dytë dhe komplikuar shanset për të parakaluar shkodranët.

shehi

Gjithsesi, trajneri Shehi nuk dorëzohet. Si gjithnjë, ai nuk bën drama dhe lë të kuptohet se një barazim ndaj rivalit direkt nuk mund të quhet dështim. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai shprehet se pjesa e parë ishte e dominuar nga Partizani, teksa shton se Vllaznia u pajtua me barazimin në pjesën e dytë. Nuk mungojnë as kritikat, kur trajneri shprehet se skuadra duhej të ishte më e zhdërvjellët. Shehi premton “luftë” deri në fund për vendin e dytë, që të jep avantazhin e barazimit në “Final 4”. Ndeshja e radhës është ndaj Egnatias, një tjetër rival direkt. Për Shehin, është thjesht ndeshja e radhës.

Zhvilluat një pjesë të parë shumë të mirë, por u zbehët në të dytën. Përse vijon skuadra të luajë ndeshje me dy tablo?

Në pjesën e parë mendoj se e kemi dominuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet. Edhe në pjesën e dytë Vllaznia nuk na ka vënë në vështirësi. Ndoshta nuk ishim ne aq kërkues dhe kundërshtari nisi të qarkullojë me lojtarët pas linjës së topit, për të kërkuar të marrë thellësinë duke shfrytëzuar Çobën dhe Grudën. Në ndeshje mes rivalëve një episod ndryshon gjithçka dhe shpresonim të ishim më me fat për ta ndryshuar ne ndeshjen. Gjatë minutave Vllaznia u pajtua dhe u kënaq me barazimin, duke u vendosur me bllok shumë të ulët poshtë dhe kjo e bën akoma më të vështirë që të shkosh te porta. Linjat ishin shumë afër dhe aty duhej të kërkonim të ndërronim më shpejt krahun dhe të lëviznim topin më shpejt, për të shfrytëzuar sulmuesit tanë.

Pasi Vllaznia u kthye më mbrapa në mbrojtje, ndryshuat sulmin, duke aktivizuar Bintsukën dhe Kekon. Sa funksionoi kjo?

Kundërshtari po e qarkullonte topin dhe po lëvizte në linjat anësore. Sulmuesit tanë konsumuan shumë në pjesën e parë dhe nuk shkonin në presion, çka ndikoi edhe në konsumimin e dy 8-shave tanë. Në këtë mënyrë ndërruam sulmuesit, duke dalë 4-2-3-1 që të ndryshonim manovrën.

Sa vlen kjo pikë për Partizanin?

Ne kërkonim ta fitonim ndeshjen. Në minutat e fundit u përgatitëm për të bërë edhe një zëvendësim tjetër në sulm, por dalja e Zekollit për shkak të minutave të pakta na kushtëzoi. E deshëm fitoren dhe mendoj se e meritonim. Janë edhe gjashtë javë dhe do të tentojmë maksimumin për ta arritur kundërshtarin më të afërt në renditje.

Ndryshuat skemë, ndodhi për të kapur “mat” Vllazninë apo për shkak të mungesës së Carës dhe Hadrojt?

Është një mënyrë, të cilën e përdorëm për herë të parë. Mungonte Cara dhe Hadroj dhe për shkak të situatës, menduam të vendosemi në këtë mënyrë. Menduam të jemi me dy sulmues përballë portës kundërshtare, pra me më shumë forca.

Luani me Egnatian në ndeshjen e radhës, tjetër rival direkt. Sa të vështirë e prisni dhe me çfarë morali shkoni në Rrogozhinë?

Mendoj se morali duhet të jenë normal, as i lartë, as i ulët. Na duhet ekuilibër. Përballemi me një tjetër rival direkt dhe në këtë rast çështja e motivimit është e zgjidhur për ne trajnerët. Do të përgatisim një ndeshje si të gjithë të tjerat. E kam thënë edhe më parë se nuk është vendimtare për të mos e futur skuadrën në trysni, duke ditur se luajmë në një kampionat, ku gjithçka do të vendoset në dy javët e fundit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"