EKSKLUZIVE/ Keqkuptimi me fjalët, ja prapaskena me “largimin” e Longos nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2022 | 14:40

EKSKLUZIVE/ Keqkuptimi me fjalët, ja prapaskena me “largimin” e Longos nga Kukësi

Nga Teuta te… Teuta. Pas ndeshjeve me durrsakët, në fazën e parë ku u mundën 2-3 dhe te barazimi i fundit 1-1 në Shkodër, trajneri i Kukësit, Diego Longo, ka menduar dy herë të largohet nga skuadra, ose të paktën kjo është nënkuptuar nga deklaratat e tij.

DIEGO LONGO

Në fazën e parë, italiani e nënkuptoi një gjë të tillë në deklaratën e tij të dhënë për mediat pas ndeshjes, por duke përfituar nga ndalesa e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, klubi dhe presidenti i nderit, Safet Gjici, patën kohën e mjaftueshme për të biseduar dhe vendosi “veton” për mbajtjen e teknikut.

Të shtunën, pas barazimit me Teutën, Longo zhvilloi një bisedë me ekipin dhe nga fjalët e tij u nënkuptua se kishte vendosur të largohej nga drejtimi i skuadrës.

Por, ky lajm ishte keqkuptuar në dhomën e zhveshjes, pasi nuk u konfirmua nga trajneri në daljen për mediat dhe u përgënjeshtrua më pas nga klubi.

FJALIMI I LONGOS – Në përfundim të sfidës, Longo është futur në dhomat e zhveshjes dhe ka mbajtur një fjalim para lojtarëve, ku ka kërkuar që të mbajnë kokën lart, sepse janë brenda objektivave.

Sakaq, fjalia që në njëfarë mënyre ka nënkuptuar dorëheqjen lidhet me faktin se tekniku ka thënë që nëse ka diçka që nuk do të shkojë në vazhdimësi, është ai që mund të largohet.

“Nuk duhet të mërziteni për këtë barazim që morëm ndaj Teutës, dua të qëndroni me kokën lart, sepse ne jemi një nga skuadrat që luajmë futboll. Ndonjëherë rezultati edhe nuk vjen, por unë kam besim te ju.

Jemi ende në vendin e tretë dhe brenda objektivave tanë, ndaj nuk duhet të shqetësoheni nga kritikat që mund të marrim pas kësaj ndeshjeje.

Në qoftë se do të ketë ndonjë gjë që nuk shkon në vazhdim jam unë ai që mund të largohem, por ju qëndroni me kokën lart.

Mos e harroni, jemi brenda objektivave dhe do të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe rezultatet do të vijnë”, mësohet se kështu është shprehur Longo para ekipit pas barazimit me Teutën.

REAGIMI I KLUBIT – I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i klubit, që ka mohuar zërat se trajneri është dorëhequr. “Kukësi konfirmon pozicionin e Diego Longos dhe siguron të gjithë se trajneri do të vazhdojë të jetë në drejtimin e Kukësit.

Barazimi ndaj Teutës, normalisht nuk ishte një rezultat pozitiv, por stafi teknik do të analizojë ndeshjen dhe do të nisin përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit.

Stafi drejtues ka besim të plotë te trajneri Longo dhe te futbollistët e skuadrës dhe nuk ka asnjë lloj presioni karshi tyre nga ana e klubit, duke qenë se po bëhet një punë shumë e mirë dhe jemi në garë për objektivat sezonalë që kemi”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"