EKSKLUZIVE/ “Kemi punuar taktikisht”, Shkëmbi para sfidës me Tiranën: Sfidojmë më të mirët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 14:25

EKSKLUZIVE/ “Kemi punuar taktikisht”, Shkëmbi para sfidës me Tiranën: Sfidojmë më të mirët

Pas debutimit me një bara zim në Durrës ndaj Kukësit, sot trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, pret që skuadra e tij të marrë një tjetër rezultat pozitiv kundër Tiranës në orën 16:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, korçari foli para sfidës me bardheblutë, duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Ai mendon se ndaj Tiranës duhet dhënë gjithmonë më shumë se 100% në fushë për të marrë suksesin. Shkëmbi konfirmoi besimin që ka te skuadra dhe shpreson që sulmuesit të gjejnë qetësinë para portës.

bledi shkembi

Si kanë qenë këto ditë për ekipin para ndeshjes me Tiranën, jeni i kënaqur për mënyrën si po iu përgjigjet ekipi?

Po, jam i kënaqur. Nëse i referohemi ndeshjes së fundit me Kukësin, deri diku më pëlqeu ekipi për mënyrën se si luajti. Mund ta quaj një paraqitje pozitive, paçka se nuk fituam dot. Sa i përket kësaj jave, jemi munduar të përgatitemi sa më mirë, duke pasur parasysh faktin se kemi pasur edhe disa lojtarë me probleme fizike. Kemi punuar më tepër nga ana taktike, pasi nuk duhet të harrojmë se përballë kemi një kundërshtar që është ndër më të mirët e kampionatit.

Ndaj Kukësit improvizuat në mbrojtje, do të vazhdoni ta bëni apo keni shpresa te rikthimet e qendërmbrojtësve Qaqi dhe Jazxhi?

Kemi shpresë deri nesër (sot) para ndeshjes. Por, do të shikojmë me qetësi për këtë pjesë dhe do të vendosim pak orë para lojës se çfarë do të bëjmë. Megjithatë, edhe nëse nuk riaftësohen lojtarët e qendrës, e sigurt është që do të luajmë në mbrojtje ashtu siç bëmë me Kukësin.

Edhe Tirana vjen pas një nisjeje jo të mirë të kampionatit. Çfarë ndeshjeje prisni sot?

Mendoj se nuk kanë shumë lidhje rezultatet që kanë marrë të dyja skuadrat në këto katër javë. Do të ishte e njëjta ndeshje në çfarëdo pozicioni që do të ishin ekipet. Kundër Tiranës gjithmonë çdo skuadër duhet të japë mbi maksimumin. Jam i bindur që do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe e bukur në “Selman Stërmasi”.

Një pikë në kryeqytet do ju kënaqte në këtë situatë?

Në fakt, e mira është që analizën duhet ta bëjmë pas ndeshjes se me çfarë rezultati duhet të jemi të kënaqur, por kryesorja është që të japim maksimumin dhe të mos na mbetet asgjë pishman. Për mua si trajner ka rëndësi që skuadra të luftojë dhe vrapojë shumë, të bëj as më pak e as më shumë se ato që kemi punuar këto ditë në stërvitje. Pastaj rezultatin t’ia lëmë fushës dhe e theksoj që luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë.

Me Kukësin krijuat disa raste, por nuk shënuat dot gol. Është mungesë qetësie apo cilësie?

Unë nuk mendoj se kemi mungesë cilësie. Në fazën sulmuese kemi goxha cilësi, të paktën për nivelin e kampionatit tonë. Për të shkuar te goli duhet të jesh i qetë psikologjikisht dhe mbi të gjitha të kesh besimin e duhur. Ndaj Kukësit na mungoi pak besimi, por shpresoj ta kemi tashmë në ndeshjen me Tiranën, duke pasur edhe fatin me vete. Natyrisht, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përqendruar.

Ka ndonjë gjë që ju shqetëson para kësaj ndeshjeje?

Nuk më shqetëson asgjë, përveç dëshirës që ta kisha grupin sa më të plotë. Doja t’i kisha të gjithë futbollistët gati, për vetë faktin se vazhdojmë të improvizojmë me formacionin, pasi disa prej lojtarëve nuk po luajnë në rolet e tyre të mirëfillta.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"