EKSKLUZIVE/ “Jam në gjyq me tatimet, zeroni investimet”, Idrizi: E kanë me Ramën, jo me mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2023 | 10:29

EKSKLUZIVE/ “Jam në gjyq me tatimet, zeroni investimet”, Idrizi: E kanë me Ramën, jo me mua

Sinan Idrizi reagon pas debateve të forta në Këshillin Bashkiak. Në ditën që iu shty me një vit kontrata për të administruar Flamurtarin, mori edhe një “lumë” akuzash. Të shumtë ishin ata që i dolën kundër dhe administratori e ka një përgjigje për të gjithë këshilltarët. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori foli për borxhet në tatime, procesi i privatizimit dhe deri te dështimi në rezultatet sportive.

SINAN IDRIZI

PËRGJIGJJA PËR ATRID HOXHËN

E nisi me këshilltarin Atrid Hoxha, që ishte më i ashpri ndaj tij dhe administrimit të tij.

“Të shkojë të mësoj ABC-në e klubit njëherë. pastaj të flasë. Kush është ky djaloshi njëherë, Atird më thatë? Unë nuk kam dëshirë që t’i shqiptoj emrin këtij, pasi ngatërroj bashkëtingëlloret me zanoret. Ky të mësojë çfarë është ai qytetari që nuk vjedh lekët publike dhe që nuk ka punuar nëpër kadastra, por që harxhon lekët e biznesit të tij dhe jep një shembull qytetarie. Të vij te mua në klub dhe të mësojë se çfarë është kjo historia e borxhit të tatimeve. Nëse ka një gjë që unë krenohem janë pikërisht tatimet. Jam i pari klub në Shqipëri që kam vetëdeklaruar me seriozitet dhe me ndershmëri të gjitha pagat e mia.

Nëse unë kam një konflikt me zyrën e tatimeve, e kam me tatimet, me shtetin shqiptar, me FSHF-në dhe jam në proces gjyqi. Ky zotëria që flet për borxhe, të bëjë qytetarin dhe të kërkojë njëherë ndjesë, ta marrë mbrapa këtë histori dhe të thotë faleminderit zotëri që më kursen lekët. Por, si duket ai nuk ka nevojë të kursejë lekët te qytetarët vlonjatë, por gjë tjetër.

Si nuk i vjen turp! Cipë nuk kanë këta? Po të ishte sot ky atje në 10 vite në bashki, do të kishte harxhuar të paktën mbi 12-13 milionë euro. Më tregon mua që paskam 2 milionë euro në tatime dhe nuk e di se çfarë është kjo histori, pse ka ndodhur. Unë mendoja se ishte një këshilltar serioz, kryetar partie, por ky qenka një alabak. Unë jetoj në Varrosh të Vlorës, por në lagjen time nuk ka asnjë alabak.

Ky qenka një ordiner. Të flasë si qytetar dhe të ketë respekt për njerëzit që nuk vjedhin pronën publike dhe për ata që jetojnë në këtë qytet. Po të jetë për fyerje pastaj, unë di të fyej më shumë nga ai. Por t’i marrë mbrapsht këto. Ka thënë se unë pi verëra të shtrenjta me Ramën…

Unë nuk kam pirë kurrë alkool në jetën time. Unë mbaj tespihe në dorë, unë fal namaz, shkoj në xhami dhe nuk përdor alkool. Nëse ky zotëria ka qenë i dehur në sallë, pastaj histori tjetër. Unë jam i sigurt se bën shaka me mua. Se nuk ka shanse që një kryetar partie të flasë me këtë gjuhë. Jam i sigurt që ti tallesh, ke gjetur kohën që do të shtysh e të argalisesh me mua, se një kryetar partie të flasë me këtë gjuhë alabaku atëherë vajmedet.

E ka thënë një imam shumë bukur: Kam fituar çdo betejë në jetë me përjashtim të betejës me injorantin. Ky qenka një injorant dhe i pacipë. Nuk kam kohë të humbas me këta. Më vjen keq që është katandisur me këtë farë feje. Ai mund të bëjë opozitë dhe mund të jetë politikan, por të paktën të ketë pak qytetari. Shko pyete pak atë palaçon atje për punën e bllokimit të Flamurtarit nga tatimet.

E dinë këta të Këshillit Bashkiak, pse Flamurtari ka refuzuar të paguajë tatimet? Për çfarë arsyeje? Sepse kanë marrë një vendim politik, që bjeri këtij, sepse ky pika verë me Ramën edhe kaq. Këtyre u del në ëndërr Rama vëlla edhe kur kanë gratë në darkë. Por nuk është faji i Sinanit ky.

Këtë problem ta zgjidhin me Ramën. Sinani aq mundësi sa ka përpiqet që qytetit t’i dalë në krahë. Mirë ‘faleminderit’ nuk e kanë, por fyerjen ta largojnë. Betejën që kanë me Ramën këta, të mos e kalojnë te mua. Nuk e mundin dot Ramën këta, ore mua mund të më mundni, nuk ka asgjë të keqe, se unë nuk jam politikan. Të shkretat gratë e tyre, çfarë heqin në darkë kur u del Rama në ëndërr”, ishin këto fjalët për këshilltarin e PD-së.

“KUNJI” PËR SOKOL KUSHTËN

U ndal edhe Sokol Kushta, që nuk ngurroi ta “thumbonte”: “Unë kam qenë i pari që kam dalë dhe kam thënë që është përgjegjësia ime dhe dështimi im, kam kërkuar edhe ndjesë. Nëse ka dikush që vjen dhe e bën të vijë ta bëjë menjëherë dhe më mirë. Të vijë ta bëj ky zotëria, nëse ka ky një ofertë apo këta të tjerët. Hajdeni bëjeni, pse vetëm flisni… Unë që ditën e parë kam marrë përsipër që me fondet e mia aq sa thoni ju një qindarkë.

Unë kam një formulë magjike, që i mbaj një vit lojtarët këtu pa paguar. Rrinë luajnë në Vlorë 10 vjet, por bashkisë nuk i marrim fonde mor njerëz. Qytetit nuk i kanë marrë fonde. Po të shikosh janë të tjerë ata që marrin fonde. Unë kam respekt për karrierën e Kushtës si futbollist.

Por Sokoli ka fituar në jetë nga këmbët, nëse do të fitojë nga koka është gjë tjetër pastaj. E ftoj që ta bëjë edhe këtë punë. Pra, të bëjë gati një fond, por jo nga fondet e bashkisë, jo nga fondet e tjera. Pasi në Shqipëri e kanë zakon që bëhen ‘presidentë’ me taksat e të tjerëve.

Ti bëhesh një personazh i famshëm më taksat që mbledh populli, e pastaj shet mend. Më vjen keq për Sokolin dhe e kuptoj atë pjesën e tij të ndjesisë që ka për Flamurtarin. Unë jam nga ata që i kam mbajtur çantën Sokolit dhe ia mbaj akoma, se na ka bërë krenarë.

Por problemi është që administrimi i klubit është një gjë komplet tjetër. Ai i di problemet si ka udhëtuar Flamurtari. Ka qenë vetë prezent vjet në ndeshjen se si u rrah Flamurtari nga Dinamo, si Flamurtari nuk është bërë kurrë pjesë e asnjë prapaskene. As ka shitur e sa ka blerë. Ju e dini kur i janë hequr 6 pikë Flamurtarit apo jo?”.

NJOHJA E DETYRIMEVE DHE PRIVATIZMIT

U akuzua se do të marrë mbrapsht investimin e bërë në asete, por këtë administratori e mohon. Flet pastaj edhe për privatizimin, ku kërkon të hapet urgjentisht dhe pa u zgjatur me llafe. “Unë nuk dua të më njoh askush, asnjë investim që unë kam bërë.

E quaj zero, nuk quaj asnjë. Do të hapet procesi i privatizimit, unë do të hyj me garancitë e mia bankare. Të hyjnë të gjithë dhe të më sfidojnë. Unë kam një projekt dhe nuk kthehem mbrapa, që quhet ‘Vlora Sport’. Kam 10 vjet dhe do t’i shkoj deri në fund. Deviza ime është: ose do ta bëj, ose do ta bëj.

Tani unë i sfidoj të gjithë këta ‘kukuvajkat’ që më flasin atje. Hyni në procesin e privatizimit dhe i lini fjalët dhe komentet e kafeneve. Nuk keni takat që të bëni gjë në jetë. Prisni sa të vijë partia në pushtet dhe të bëheni drejtorë, të veni nëpër kadastra apo drejtori të tjera të bëni ndonjë lekë. Atëherë mbyllni gojën dhe ulni kokën. Hyni në tender, keni rastin të tregoni sa të zotët jeni. Do të bëhet tenderi për stadiumin e ri të Flamurtarit, hyni. Ju sfidoj sa të zotët jeni.

Do të jem i fundit që do të japë ofertë. Investimi im nuk dua që të njihet fare. Bile, derisa të mbyllet gjyqi me tatimet, me Ministrinë e Financave dhe FSHF-në, ngri menjëherë automatikisht 2.2 milionë dollarët e tatimeve. Unë kam gjyq të llojit tjetër, por i ngrij menjëherë në bankë për këtë histori. Sepse, kjo është një luftë qytetarie, që ai palaço aty nuk e kupton.

Flamurtari për herë të parë arriti në historinë e futbollit shqiptar të deklarojë të ardhurat e tij. Këta nuk kanë në bazë qytetarinë, por kusarllëkun. I pres të gjithë ditën e tenderit të vijnë aty bashkë. Pres të vijnë të investojnë…

Nëse është ndonjë investitor më i fuqishëm, që nuk e kemi lënë ne, të vijë nesër në mëngjes te mua se i hap unë krahun menjëherë. Ore ç’është ky zotëri… Mos m’u refero më këtij, se kam ngrenë edhe drekën tani e nuk dua të vjell. Unë emrin e kam Sinan. E kam një emër klasik shqiptar, otoman, turk, si të duash ti. Por kur linda unë në dynja babai nuk ma vuri Nanis, mua përsë prapthi, e kupton”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"