EKSKLUZIVE/ “Ishte ndeshje jetike kundër Egnatias”, Jazxhi si sulmues: Punën e golit do ta bëj… rrugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 8:40

EKSKLUZIVE/ “Ishte ndeshje jetike kundër Egnatias”, Jazxhi si sulmues: Punën e golit do ta bëj… rrugë

Nuk mund të harrohet ai gol në limite kundër Dinamos në fazën e parë, ku Jazxhi kompletoi përmbysjen e madhe 3-2 të Teutës kundrejt bluve, por gjithashtu edhe ai super gol kundër Tiranës në “Air Albania” në fitoren që durrsakët morën gjashtë ndeshje para në kampionat.

Festa e lojtarëve të Teutës pas golit të Jazxhi

Festa e lojtarëve të Teutës pas golit të Jazxhi

Këtë fundjavë, Artan Jazxhi gjen golin e tretë sezonal, atë të fitores për Teutën në përballjen me Egnatian në “Niko Dovana”. Një veprim tepër i bukur duke shmangur dy lojtarë dhe një goditje e llogaritur tokazi që nuk i jep kohë Sherrit të reagojë. Pas ndeshjes, mbrojtësi shtatlartë, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet: “Ishte një fitore e rëndësishme dhe e bukur. Asgjë nuk është rastësi, por punë e përkushtuar dhe ndjenjë maksimale përgjegjësie nga të gjithë çunat. Ne do të ecim me këmbë në tokë dhe pa ndrojtje përballë kujtdo kundërshtari, si Erzenit dhe Dinamos”, tha fillimisht ai.

GOLI – Mbrojtësi shprehet i kënaqur për golin e shënuar, ndërkohë kërkon që rrugën e rrjetës ta gjejë edhe në vazhdim.

“Jam shumë i lumtur për golin, pasi tashmë po krijoj vazhdimësi në kampionat. Por, më vjen mirë që goli im shërbeu për fitoren sidomos në momentin e vështirë që jemi. Shpresoj të bëj më të mirën në fushë për të ndihmuar ekipin dhe pas këtyre golave, të vijnë edhe shumë të tjerë”, tha ndër të tjera mbrojtësi që ka koleksionuar 105 ndeshje me durrsakët.

MENAXHIMI – Jazxhi flet edhe për menaxhimin që i bëri lojës ekipi i tij pasi kaloi aq shpejt në avantazh: “E dinim që përballë kishim një ekip shumë të mirë, por e vlerësuam në maksimum pasi për ne ishte ndeshje jetike pasi na dha mundësinë të marrim pikët që na duhen aq shumë. Mund të them se pjesën e dytë e menaxhuam si duhet dhe ishim shumë të qetë duke mos u vënë në vështirësi për të pësuar. Kështu ia dolëm dhe në fund festuam”, ishin fjalët e mbrojtësit Artan Jazxhi, autor i tre golave këtë sezon me Teutën.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"