EKSKLUZIVE/ Idrizi jep alarmin për Flamurtarin: Rrezikojmë regjistrimin, të mblidhet Këshilli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2023 | 12:56

EKSKLUZIVE/ Idrizi jep alarmin për Flamurtarin: Rrezikojmë regjistrimin, të mblidhet Këshilli

Flamurtari rrezikon regjistrimin për sezo nin e ri futbollistik. Pengesë bëhet mungesa e kontrata me turqit për administrimin. Ajo ka skaduar dhe zyrtarisht Sinan Idrizi ka bërë kërkesë për ta rinovuar, e megjithatë Këshilli Bashkiak nuk e ka marrë ende vendimin për shtyrjen e afatit. Gjatë një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, ai ngre shqetësimin dhe kërkon një mbledhje sa më të shpejtë për këtë rast.

Sinan Idrizi

“Ky problem është pak më gjerë se kërkesa jonë drejtuar bashkisë. Nuk është se mungon gatishmëria nga ana e bashkisë, kryetarit apo stafit për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij ngërçi, por është një gjë pak më e gjerë se kaq. Bëhet fjalë për asete, investime, për Ministrinë e Ekonomisë dhe qeverinë. Janë të gjitha bashkë këto në vazhdimësi. Ne kemi kërkuar shtyrjen e kontratës për momentin, pastaj gjatë kohës këtë historinë tjetër. Por duhet të zgjidhet një çështje emergjente procedurale, pasi ne nuk çojmë dot ekipin tani, nuk e regjistrojmë dot pa u miratuar shtyrja e kontratës. Kjo është emergjenca, mënyra e menaxhimit të ekipit, pjesa tjetër pastaj është gjë tjetër. Duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli Bashkiak i Vlorës dhe të miratojë shtyrjen, pasi unë nuk kam se si të regjistroj ekipin, nuk kam të drejtë menaxhimi. Është një periudhë kalimtare që e lejonte ligji, por tani duhet të merren masat. Duhet të bëjmë regjistrimet”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.

ASETET DHE INVESTIMET – Çështja e aseteve mbetet ende e pazgjidhur, duke bërë që të mbetet peng edhe investimi që do të niste për fushat në Pyllin e Sodës. Idrizi sheh si zgjidhje përfundimtare vetëm privatizimin e klubit. “Unë tani konkretisht dua që të marr fushat te vendi që ne e quajmë si Pylli i Sodës, por që zona atje nuk është më pyll. Tani është problemi i aseteve, disponibilitetit të tyre, mënyra e investimit, etj. Fushat duhet t’i kishim filluar që në datën 1 gusht. Erdhën turqit, panë terrenin. Kemi bërë preventivet. Tani është problemi i aseteve. Pasi ato fusha atje do të kenë edhe disa terrene. Është problemi i pronës tani. Unë duhet t’i kisha filluar këto. Nuk ka çfarë të privatizojë bashkia, këtu të jeni të qartë. Bashkia maksimumi jep në përdorim, siç e bëri Shkodra, të drejtën e aktivitetit. Por ne duhet të investojmë në asete. Zgjidhja përfundimtare është vetëm privatizimi, nuk ka asgjë tjetër. Duket se është në rrugë të mbarë. Tani fillon projekti “Vlora Sport”, është gjithë ai stadium. Javën e parë të shtatorit unë pres arkitektët në Vlorë. Tani po flasim për 15 mijë, 25 mijë vende stadiumi. Por janë ca procedura burokratike klasike që këtu i vështirësojnë pak, por nuk ka, është e zgjidhshme. Besoj se nuk ka më problem tani”, deklaron numri një i klubit.

AKADEMIA E BRAZILIT – Investim dhe binjakëzim. Ky është projekti që Flamurtari parashikon të zbatojë me një akademi futbolli në Brazil. Ky projekt i është çuar në tavolinë kreut të klubit nga ish-trajneri Marcelo Troisi. “Është një investim që do të bëjmë për binjakëzimin. Është një projekt që vjen nga Brazili. Unë e kam vlerësuar së bashku me një ortakun tim të një ekipi tjetër në Turqi. Është një projekt shumë i mirë në tavolinë, tani duhet të kalojmë nga ana teorike në anën praktike. Është ideja e strukturës ‘Vlora Sport’, të cilën kam vite që e flas. Është një pjesë e këtij miksimi që duam të bëjmë ne. Projekti është sjellë nga Troisi”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"