EKSKLUZIVE/ Idrizi ia lë në dorë Çelës dy rikthimet! Hoxhaj i pavendosur, Telushi: Gati për Vlorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 11:51

EKSKLUZIVE/ Idrizi ia lë në dorë Çelës dy rikthimet! Hoxhaj i pavendosur, Telushi: Gati për Vlorën

Emiljano Çela do të vendosë “veton” për Bruno Telushin dhe Ardit Hoxhajn. Presidenti Sinan Idrizi ia ka lënë në dorë këtë çështje trajnerit. Ashtu sikundër i ka lënë dorë të lirë për të gjithë merkaton, nuk bëjnë përjashtim as dy vlonjatët. Ata gjenden aktualisht në qytet, ku po stërviten individualisht me Besmir Shabanin. Vetë qendërmbrojtësit dhe sulmuesit nuk i mungon dëshira që të rikthehen në shtëpi dhe ndihmojnë kuqezinjtë në arritjen e objektivit madhor.

TELUSHI SHABANI HOXHA

HOXHAJ DHE TELUSHI – “Panorama Sport” kontaktoi dje me Ardit Hoxhajn në lidhje me zërat për një rikthim te Flamurtari. Sulmuesi vlonjat nuk ka preferuar që të flasë gjatë, por ka pohuar se gjithmonë nga kuqezinjtë nuk i ka munguar interesimi. Hoxhaj thotë se do të vendosë deri të enjten. “Nga Flamurtari ka pasur gjithmonë interesim për mua. Kam 2-3 oferta që po i shikoj me kujdes. Besoj se për të ardhmen do të vendos deri të enjten”, ka deklaruar Hoxhaj. Gazeta telefonoi edhe Bruno Telushin. Ish-kapiteni i vlonjateve, që së fundi ishte pjesë e Partizanit, nuk ka pranuar që të flasë gjatë, por as nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer te Flamurtari. “Flamurtari mbetet gjithmonë në zemrën time. Jam i gatshëm në çdo kohë për bërë më të mirën për të”, tha shkurtimisht Telushi. Nisur edhe nga çfarë deklaruan, nuk mungon dëshira e Telushit dhe Hoxhajt që të rikthehen në shtëpi, por duket se presin një telefonatë prej klubit.

PLANI ME MIQËSORET – Flamurtari duket se ka vend edhe për dy afrime të fundit. Por në klub kanë edhe një plan tjetër. Do të shikojnë skuadrën në dy miqësoret e pritshme dhe pastaj do të gjykojnë nëse do të kenë nevojë për përforcime. Miqësorja me Bylisin, e planifikuar të luhej dje, u shty për sot dhe do të luhet në Ballsh. Ndërsa testi i fundit do të luhet të shtunën në Vlorë me Lushnjën.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"