EKSKLUZIVE/ “Dhamë shpirtin në derbi, finalet s’i falim”, Rrapaj: Zero nënvlerësim kundër Skënderbeut, ja çfarë do bëjmë në “Final 4” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 20:45

EKSKLUZIVE/ “Dhamë shpirtin në derbi, finalet s’i falim”, Rrapaj: Zero nënvlerësim kundër Skënderbeut, ja çfarë do bëjmë në “Final 4” (E PLOTË)

Vëmendja u zhvendos e gjitha te Maget, por duhet theksuar se në derbi pamë sërish versionin më të mirë të Arinaldo Rrapajt. Ndoshta lodhja e kishte penguar prej thuajse një muaji që të shfaqte aftësitë e tij, por adrenalina e derbit sikur e ndezi dhe ishte si një motor në fushë. 

rrapaj

Në një prononcim për “Panorama Sport” djaloshi u shpreh shumë i lumtur për fitimin e dy derbeve radhazi, teksa tregoi edhe për mënyrën sesi ishte përgatitur beteja kundër Tiranës. Rrapaj shprehet se skuadra dha shpirtin në fushë, teksa shton se në “Final 4” nuk do të ketë mëshirë për kundërshtarët.

Morët një fitore me shumë vlera në derbin me pritës Tiranës. Kujt ia dedikoni?

Fitoren ia dedikojmë presidentit të nderit, zotit Resul Demi, i cili po kalon momente të vështira gjatë këtyre ditëve për shkak të problemeve shëndetësore. Urojmë ta kalojmë sa më shpejt dhe të jetë sërish për të festuar mes nesh.

Dy derbe radhazi të fituara. Sa të rëndësishme ishin për momentin ku ndodhej skuadra?

E kam parë të gjithë ekipin dhe çunat shumë të përqendruar në stërvitje. E kemi ditur rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe në mendjen tonë ka qenë gjithnjë maksimumi, pra gjashtë pikët. I gjithë ai përqendrim dhe seriozitet në stërvitje, punë e madhe u shpërblye. Çunat dhanë shpirtin dhe luftuan fort për t’ia dalë.

Do të ishin më të gëzueshme këto tri pikë nëse Vllaznia nuk do të kishte fituar kundër Egnatias?

Ne nuk na intereson shumë kundërshtari. Gjithnjë kemi parë ndeshjet tona dhe i marrim një nga një, sidomos në këtë pikë të kampionatit, ku ndeshjet janë shumë të rëndësishme, jemi pranë “Final 4”. Shpresojmë që të bëjmë akoma më mirë më tutje.

Luani tri ndeshje kundër skuadrave poshtë jush në renditje. Sa të rrezikshme i konsideroni këto beteja?

Asnjë ndeshje nuk është e lehtë nëse nuk jep shpirtin dhe nuk je serioz çdo ditë në ndeshje dhe në stërvitje. Nëse neglizhon çdo kundërshtar bëhet i fortë dhe na krijon probleme. Shpresoj që me të gjithë çunat të mbajmë këtë seriozitet dhe ritëm për të dalë me sukses në këto tri ndeshje që kanë mbetur para “Final 4”.

Prej disa ndeshjesh nuk keni pasur kontakt me golin. Është problem i formës, apo çështje fati?

Mendoj se është çështje fati. Nuk është se jam shumë i dhënë për të shënuar se s’bën. Dua të ndihmoj shokët e skuadrës duke dhënë asiste. Normalisht që ndjesia e golit është akoma më e mirë, por jam i kënaqur që ekipi ka fituar këto dy ndeshje derbi dhe nuk më vjen keq që s’arrita të shënoj.

Afro 600 ditë pa humbur në derbet me Tiranën. Sa gjatë dëshironi ta çoni këtë ecuri pozitive?

Shpresoj ta çojmë sa më shumë. Jemi në rrugën e duhur deri më tani. Duam që edhe derbet e tjera t’i fitojmë dhe të mos ndalemi.

Duket sikur Partizani “ndizet” vetëm në ndeshjet e mëdha. Mund të jetë kjo pika juaj më e fortë në “Final 4”?

Ne po stërvitemi, të gjithë e dimë rëndësinë e atyre finaleve të mëdha. Ato ndeshje janë shumë delikate dhe do të mundohemi të shënojmë që në minutat e para dhe ta mbyllim sa më shpejt, pa i krijuar probleme vetes.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"