Marota me pushtet, ja pse Interi ka siguri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 12:23

Marota me pushtet, ja pse Interi ka siguri

Dje ishte 20 maji i famshëm. Akrepat e orës janë ndier fort në Los Anxhelos deri në Milano dhe në Kinë. Është duke ardhur ora e së vërtetës.

marota

Mbi Interin është duke lindur një diell kalifornian pas 8 vitesh dielli të kuq Kinez që kanë ndryshuar epokën moderne të Interit. Ndoshta është thjesht një mekanizëm i ftohtë teknik që do të marrë formë ditën e nesërme, por ndryshimi i pronësisë së klubit do të ndryshojë edhe perspektivën e së ardhmes. Sfida më e madhe është që të ketë një vazhdimësi teknike dhe ekonomike pas një tërmeti të vogël që shkundi zyrat në Milano. Në këtë aspekt, “Oaktree” ka qenë e qartë ende pa marrë nën kontroll Interin. Fjala më e përdorur ka qenë: Vazhdimësia. Një skuadër që funksionon kaq shumë mirë, nuk mund të hidhet. Për këtë arsye do të kërkojë që të ruajë të njëjtën shpejtësi të rritjes duke konfirmuar bllokun menaxhues të aspektit sportiv me kryesorin Bepe Marota dhe atë ekonomik të udhëhequr nga Alesandro Antonelo.

MAROTA NË QENDËR Çështjet në fushën e lojës janë ato që i interesojnë dhe shqetësojnë më shumë një popull të dehur nga lumturia për titullin kampion të 20-të në histori, por të çorientuar nga ndodhitë e fundit. Rinovimet e Lautaros, Barelës dhe Inzagit që do të vinin së bashku me afrimet e reja janë çështje që duhen zgjidhur. Sigurisht që tani do të shtyhen disi në radhë. Por “Oaktree” duket se i ka dhënë dorë të lirë Marotës duke i konfirmuar pas kuintave mbështetjen e madhe për të vazhduar projektin teknik. Marota sigurisht që do të ketë një rol akoma më të rëndësishëm dhe më në qendër të vendimeve duke mos iu dashur të presë vendimet nga Kina për lëvizjet që duhet të bëjë për Interin.

BESIMI Nga brenda skuadrës ka qarkulluar besim dhe qetësi pavarësisht problemeve që po raportohen në media dhe në fakt janë të vërteta. “Interi është shumë solid dhe tifozët mund të jenë të qetë sepse nuk ka asnjë shqetësim financiar. Çdo vendim që do të marrë familja Zhang do të jetë për të mirën e Interit dhe tifozët zikaltër. Presidenti është një person serioz dhe jam optimist që do të vazhdojmë kështu”, ka thënë Marota përpara ndeshjes. Është besimi i një njeriu që gjithçka e ka ndërtuar vetë me një automenaxhim duke ulur kostot duke bërë merkato në ekuilibër mes shitjeve dhe blerjeve pa shumë çmenduri.

EPOKA E RE Modeli që do të vazhdojë është i njëjti, pa shumë shpenzime, por edhe pa detyrime për të larguar lojtarë të rëndësishëm. “Oaktree” e njeh Interin dhe anasjelltas. Kjo nuk do të jetë një martesë interesash mes të panjohurve. Ka pasur kohë për t’u prezantuar me njëri-tjetrin. Interi do të bëjë një kalim të lehtë në një tjetër pronar, por koha do ta tregojë nëse do të duhen muaj apo vite. Ndërkohë që në plan duhet që personat e vendosur nga “Suning” duhet të dorëhiqen. Do të hapet një epokë menaxhimi ku Stiven Zhang duhet të mbledhë asamblenë e aksionerëve për të zgjedhur këshillin e ri administrativ.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"