Apolonia bën gati ndryshimet për sezonin e ri, ja modeli për afrimet në merkaton e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 11:22

Apolonia bën gati ndryshimet për sezonin e ri, ja modeli për afrimet në merkaton e verës

Tek Apolonia do të nisin shumë shpejt ndryshimet për sezonin e ri, edhe pse stërvitja do të vijojë deri në fund të muajit maj. Vendi i 5-të në kampionatin e fundit dhe më pas eliminimi në finalen e “play off”-it, nuk i ka lënë të kënaqur drejtuesit e klubit fierak, të cilët synojnë të sjellin një frymë të re këtë verë si në organizim, ashtu edhe në kualitetin e skuadrës dhe rrjedhimisht edhe objektivat e saj.

Repaj 13, Bejzade 15, Maksuti 76 omeri pa fanelle

Apolonia ka një grup lojtarësh nga sezoni i fundit dhe nuk ka nevojë për ndryshime radikale. Stafi teknik mund të niset nga një bazë, ku bëjnë pjesë emra si, portieri Harizaj, mbrojtësit Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Hebeja, mesfushorët Shanaj, Topi, Bejzade, sulmuesit Trifoni, Maksuti, Umejiego dhe disa të tjerë. Megjithatë, disa afrime me kualitet janë të nevojshme për këtë skuadër dhe lëvizjet e para do të fillojnë pas mbylljes së seancave të përditshme stërvitore.

Lista e largimeve- Fillimisht, para se të flitet për lojtarët që do të afrohen, në klub po bëjnë gati listën e largimeve. Jo të gjithë lojtarët kanë bindur dhe disa prej tyre janë me “valixhe në duar”. Për t’i paraprirë kësaj situate, në kontratat e sezonit të kaluar, për një pjesë të mirë të tyre ka qenë klauzola e rinovimit nëse klubi do të ishte dakord për të vazhduar bashkëpunimin edhe sezonin e ardhshëm. Mësohet se futbollistët më të rrezikuar për të mbyllur në mes aventurën me ekipin fierak janë ata që nuk kanë pasur shumë mundësi aktivizimi. Gjithsesi, këtu nuk bëjnë përjashtim as të tjerët, ndërsa për momentin të “paprekshëm” duken senatorët që kanë mbajtur edhe peshën më të madhe gjatë këtij sezoni.

Modeli Bejzade- Pika e referimit për lojtarët që do të afrohen tek Apolonia është mesfushori Abjel Bejzade. Ai është modeli që duan drejtuesit e Apolonisë sa i takon impenjimit në fushë, korrektësisë dhe marrjes së përgjegjësive. Mesfushori i majtë është një nga ata që i ka lënë jashtëzakonisht të kënaqur drejtuesit fierakë dhe Abjel Bejzade është vërtet një shembull në fushë. Ai ka luajtur në 31 ndeshje të kampionatit, 29 nga të cilat si titullar dhe 2 të tjerët si zëvendësues.

Ka munguar vetëm dy herë, fillimisht për arsye dëmtimi dhe më pas për shkak kartonësh. Mbi të gjitha, 22-vjeçari nuk u është shmangur asnjëherë përgjegjësive. Ai ka dhënë gjithçka nga vetja jo vetëm në rolin e tij natyral si mesfushor i majtë, por edhe në mbrojtje, kur i është kërkuar. Një profesionist i vërtetë. Pikërisht të tillë profile lojtarësh do të kërkojnë fierakët në merkaton e verës për t’ia bashkuar skuadrës në momentin, që ajo do të nisë përgatitjet e verës. Përforcimet do të prekin të gjitha repartet, që nga porta e deri te sulmi, ndërsa për emrat konkretë është ende shumë herët për të folur.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"