“Mallkimi” i stadiumit zë edhe Kukësin, ja disa nga modelet që duhen ndjekur për rikthimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 10:50

“Mallkimi” i stadiumit zë edhe Kukësin, ja disa nga modelet që duhen ndjekur për rikthimin

Duket se edhe Kukësi nuk i ka shpëtuar “mallkimit” të stadiumit në Superiore. Ndonëse vitin e kaluar arritën t’i iknin vetëm në javën e fundit këtij fati të keq, që i ndodh skuadrave me stadium të rinovuar. Këtë sezon nuk ia dolën dot dhe verilindorët ranë nga kategoria.

Kukesi

Të njëjtin fat pati Elbasani para 10 vitesh kur u ndërtua “Elbasan Arena”, për t’u pasuar me Tiranën dhe më pas Vllazninë. Të tria ekipe tradite, që ranë nga kategoria fill pasi iu rikonstruktuan stadiumet e tyre. I fundit që i është bashkuar këtyre klubeve është ai i Kukësit, i cili në dy vite nuk e ka shfrytëzuar dot faktorin fushë.

SHEMBUJT POZITIVË

Tani është fakt i kryer pjesëmarrja në Kategorinë e Parë në sezonin 2024-2025. Megjithatë, nuk ka shumë vend për dramë rënia një kategori më poshtë, sepse në këtë rast nuk mungojnë shembujt pozitiv që ia kanë dalë këto vitet e fundit të ringrihen menjëherë pas rënies. Mjafton të thuhet, se Vllaznia dhe Tirana qëndruan vetëm një sezon në të Parën dhe menjëherë u ngjitën në elitë, madje u ringritën, luftuan dhe fituan sërish trofe. Këto dy raste duken tipike me situatën që po përjeton Kukësi përgjatë këtyre dy sezoneve të fundit.

Sakaq, shembuj të ringritjes pas rënies janë edhe Dinamo me Skënderbeun sezonin e kaluar, që qëndruan vetëm një sezon në kategorinë inferiore dhe u bënë sërish protagoniste në Superiore. Për të shkuar te Bylisi i këtij sezoni, që edhe pse ra, sërish gjeti forcat dhe iu bashkua më të mirave të futbollit shqiptar. Nën këto shembuj shpresojnë të ecin edhe në Kukës, ndonëse mbetet për t’u parë se çfarë skuadre do të ndërtojnë. Kjo, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve të sezonin që lamë pas janë larguar nga ekipi dhe skuadra duhet riformatuar nga e para duke filluar nga porta që ka mbetur bosh.

PRITSHMËRITË

Duke pasur parasysh se Kukësi është një skuadër që u ngrit nga “hiçi” një dekade e gjysmë më parë për të bërë historinë në futbollin shqiptar, pritshmëritë në këtë qytet për t’u ringritur sërish janë të larta. Për këtë arsye, klubi do të hyjë në garë për ta rikthyer sa më parë skuadrën në elitë. Largimet e ndodhura përgjatë këtyre ditëve, pritet të zëvendësohen me afrime, ndërsa mbetet për t’u zgjidhur fillimisht çështja e trajnerit. Bledar Devolli është një pistë që vazhdon të pëlqehet në Kukës ende, por mbetet për t’u parë nëse do të rikonfirmohet apo jo.

 

4 trajnerë

e drejtuan Kukësin në sezonin e fundit në Superiore, por nuk ia dolën që mbijetonin. Sezoni nisi me trajnerin Rraman Hallaçi, për të vijuar me Stavri Nicën dhe Emiljano Çelën dhe u mbyll me Bledar Devollin.

 

27 pikë

grumbulloi Kukësi në 36 javët e kampionatit të rregullt në Superiore. Verilindorët e mbyllën në vend të fundit me 6 fitore, 9 barazime dhe 21 humbje. Golavarazhi ishte negativ me 31 gola të shënuar dhe 56 të pësuar.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"