Statistikat/ Golat dhe fitoret, njihuni me shifrat e makinerisë “Siti”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 10:35

Statistikat/ Golat dhe fitoret, njihuni me shifrat e makinerisë “Siti”

Mançester Siti u bë skuadra e parë në historinë e futbollit anglez që fiton titullin e katër vjet radhazi, në një ecuri që filloi në sezonin 2020-21.siti

Suksesi është i gjashti në tetë vjet nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe i teti në Premier Ligë në total. Tani “Qytetarët” kanë 10 tituj në historinë e klubit, me të parin e fituar 87 vjet më parë. Suksesi i fundit është rezultat i një beteje sizmike me Arsenalin e Mikel Artetës dhe Liverpulin e Jyrgen Klopit. Kjo ishte hera e gjashtë që ata fitojnë titullin në ditën e fundit të sezonit. Më parë Sitit iu deshën të gjitha 38 ndeshjet për të vulosur vendin e parë në sezonet 1967- 68, 2011-12, 2013-14, 2018- 19 dhe 2021-22. Fitorja të dielën kundër Uest Hemit e dërgoi Mançester Sitin në kuotën e 90 pikëve për herë të katërt në epokën e Premier Ligës. Ata janë i vetmi klub që e ka arritur këtë pikë referimi katër herë, me Çelsin dhe Liverpulin që e kanë prekur kuotën e 90 pikëve në tri raste. Siti fitoi 28 nga 38 ndeshjet e këtij sezoni, duke barazuar shtatë herë dhe duke humbur tre. Më poshtë janë disa nga statistikat që shënuan sezonin 2023-24 të gjigantëve anglezë.

FORMA NË SHTËPI – Nuk ka dyshim se stadiumi “Etihad” ka qenë një fortesë gjatë gjithë suksesit të tyre në vitet e fundit. Megjithatë, ky është sezoni i parë që Pep Guardiola ka kaluar një sezon të plotë pa humbje në Premier Ligë në shtëpi. Në 19 ndeshjet e ligës brenda, ata kanë fituar 14 ndeshje dhe kanë barazuar 5, duke grumbulluar gjithsej 47 pikë. “Qytetarët” nuk humbasin në shtëpi në Premier Ligë që nga nëntori i vitit 2022, një seri prej 30 ndeshjesh.

“KËPUCA E ARTË” – 27 golat e Erling Halandit i kanë dhënë atij “Këpucën e Artë” të dytë në dy vitet e para si lojtar i Sitit. Ky trofe pason sezonin e parë rekord ku ai shënoi 36 gola në debutim, me 23-vjeçarin që tani është bërë vetëm njeriu i pestë që e fiton trofeun në dy sezone radhazi. Ai është gjithashtu lojtari i parë i Sitit që e fiton trofeun më shumë sesa një herë, me Karlos Tevezin i cili e ndau çmimin me Dimitar Berbatov në 2010-11 dhe Serxho Agueron, që shënoi 26 gola në 2014-15. Norvegjezi ka bërë dy sezone të para të pabesueshme në “Etihad”, ku ka fituar 6 trofe, përfshirë titullin e fundit të Premier Ligës. Në këtë sezon ai shënoi tregolësh kundër Fulhamit dhe Uolvesit, si edhe gola vendimtare kundër Liverpulit, Totenhemit, Mançester Junajtidit dhe Çelsit në rrugën drejt titullit rekord të katërt radhazi në Premier Ligë. Trofeu i tij i fundit individual vjen pasi ai u nominua për çmimet “Lojtari më i Mirë i Premier Ligës” dhe “Lojtari i Ri më i Mirë i Sezonit”, të cilat i fitoi të dyja në sezonin 2022-23.

GJASHTË ME GJASHTË – Siti e ka fituar Premier Ligën gjithsej tetë herë, por shumë lojtarë nga skuadra aktuale tani e kanë fituar trofeun në të gjashtë rastet që Guardiola i ka çuar drejt suksesit. Kevin De Bryjne, Ederson, Fill Foden, Bernardo Silva, Xhon Stons dhe Kajl Uoker kanë qenë pjesë e çdo titulli të fituar që nga ardhja e Guardiolës. Ata janë edhe lojtarët më të suksesshëm në historinë e klubit kur bëhet fjalë për titujt kampion.

TË PANDALSHËM – Natan Ake dhe Ruben Diaz kanë fituar të dy ligën në çdo sezon që kanë qenë te Siti. Dyshja mbërriti në verën e vitit 2020 dhe kanë qenë protagonistë kryesorë të kësaj historie i ka parë kampionët krye të tabelës në secilin prej katër viteve të fundit. Diaz ka luajtur 117 ndeshje në kompeticion ndërsa Ake ka luajtur 78 ndeshje në Premier Ligë për Sitin.

I PATHYESHMI RODRI – Rodrigo ka kaluar tashmë 50 ndeshjet pa humbje në Premier Ligë. Kjo është ecuria e dytë më e mirë në historinë e ligës, me vetëm Sol Kempbëllin përpara tij me 56 ndeshje radhazi pa humbje në kampionat. 34 nga ato paraqitje erdhën në këtë sezon, me spanjollin që humbi tri ndeshje për shkak të pezullimit dhe pushoi në tjetrën. Humbja e tij e fundit në ligë ishte në shkurt 2023, kur Siti u mund 1-0 nga Totenhemi.

FANTASTIKU FODEN – Fill Foden ka pasur sezonin më të mirë të karrierës së tij. Lojtari i sezonit në Premier Ligë dhe Futbollisti i Vitit i Gazetarëve Sportivë, shënoi 19 herë në kampionat dhe dha tetë asiste për shokët e skuadrës. Vetëm tre lojtarë në të gjithë kampionatin shënuan më shumë se mesfushori me tipare sulmuese. Në total, ai krijoi 73 raste gjatë sezonit, gjashtë më shumë se lojtari më i mirë i radhës i ekipit të Guardiolës. I diplomuari i Akademisë ka luajtur gjithashtu në një sërë pozicionesh për skuadrën e Guardiolës, duke demonstruar cilësinë e tij supreme si në krah, gjithashtu edhe në një rol më qendror.

GOLAT E SHËNUAR – Siti ishte skuadra më pjellore e kampionatit, duke shënuar 96 gola në total. Mesatarisht, ata shënuan 2.52 gola çdo 90 minuta këto 38 javë. Skuadra me sulmin e dytë më të mirë të kampionatit ishte Arsenali, e cila e gjeti rrjetën 91 herë. 27 golat e Halandit padyshim që kanë udhëhequr rrugën për skuadrën e Pep Guardiolës, ndërsa Fill Foden shënoi 19 gola në sezonin më të mirë të karrierës së tij deri më tani, ndërsa Julian Alvarez shënoi 11.

REKORDI I GUARDIOLËS – Gjashtë titujt e Pep Guardiolës në Premier Ligës forcojnë vendin e tij si trajneri i dytë më i suksesshëm në historinë e kampionatit, me vetëm Sër Aleks Fergusonin përpara tij me 13. Për sa i përket titujve gjatë historisë së futbollit anglez, Guardiola tani është barazuar me Xhorxh Ramsejn dhe Bob Peislin në vendin e dytë. Ramsej drejtoi Aston Vilën në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, ndërsa Peisli ishte bosi i Liverpulit në vitet 1970 dhe 80. Por Pep është trajneri më dominues në Premier Ligë që nga ardhja e tij në 2016, duke grumbulluar 716 pikë nga 304 ndeshjet e tij. Kjo e vendos Sitin 59 pikë përpara sfiduesit më të afërt, Liverpulit dhe 149 më shumë se Arsenali, i cili ka qenë ekipi i tretë më i mirë gjatë këtyre tetë sezoneve. Menaxheri katalanas festoi 300 ndeshje në ligë me fitoren e prillit kundër Notingem Forestit. Ai grumbulloi 70 pikë më shumë sesa çdo trajner tjetër në Premier Ligë në 300 ndeshjet e tyre të para, duke fituar 221 ndeshje krahasuar me 189 të Zhoze Murinjos, 188 të Jyrgen Klopit, 183 të Sër Aleks Fergusonit dhe 180 të Arsen Vengerit. Që nga sezoni i tij i parë në drejtimin e stolit të Barcelonës, Guardiola ka fituar 12 tituj kampion. Kjo është dy herë më shumë se çdo trajner tjetër në pesë ligat më të mira të Evropës në të njëjtin hark kohor. Masimiliano Alegri është më i suksesshmi për sa i përket titujve të ligës me gjashtë tituj, të gjithë të fituar në Itali.

TRANSFORMIMI PAS “BOXING DAY” – Siti renditej tetë pikë prapa kryesuesve në ditën e Krishtlindjes për të dytin sezon radhazi. Përpara se ta përmbysnin renditjen sezonin e kaluar, vetëm dy skuadra në historinë e Premier Ligës e ishin përmbysur një disvantazh prej tetë pikësh pas 26 dhjetorit, duke fituar titullin. Ato ishin Mançester Junajtid në 1995-96 dhe Arsenali në 1997-98.

SERITË E FITOREVE – Nëntë fitoret radhazi të Sitit në këtë fund sezoni në Premier Ligë, ishin seria më e gjatë e sukseseve për çdo skuadër të kampionatit anglez këtë sezon. Ndërsa 23 ndeshjet, që prej humbjes së 6 dhjetorit me Aston Vilën, janë gjithashtu seria më e gjatë e pathyeshmërisë se çdo skuadër tjetër në ligë. Ajo është ecuria e dytë më e gjatë e Sitit i pamposhtur në Premier Ligë, mes 30 ndeshjeve të regjistruara mes prillit 2017 dhe janarit 2018. Gjatë asaj periudhe, ata kanë fituar 19 dhe kanë barazuar katër herë, ndërsa kanë grumbulluar 55 pikë që e kapërcyen mbi Arsenalin dhe Liverpulin. 15 ndeshjet e njëpasnjëshme të Liverpulit pa humbje midis tetorit dhe shkurtit ishin ecuria e radhës më e mirë e pathyeshmërisë në të gjithë kampionatin, ndërsa Arsenali fitoi tetë ndeshje radhazi nga janari në mars.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"