EKSKLUZIVE/ Albert Kaçi: Vllazni, koha për të sulmuar titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 11:53

EKSKLUZIVE/ Albert Kaçi: Vllazni, koha për të sulmuar titullin

Albert Kaçi, një nga ishlojtarët kampion me Vllazninë dhe Elbasanin, iu ka bërë një përmbledhje 30 javëve të këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur për ecurinë e skuadrës dhe për më shumë ka shprehur besimin se Vllaznia mund të kërkojë të dy trofetë. Ai apelon që kuqeblutë në këto momente të bëjnë kujdes dhe të fokusohen te çdo takim deri në fund, për të sjellë pas shumë vitesh trofeun e kampionit në Shkodër.

albert kaci

Kaçi, si e keni parë Vllazninë e deritanishme?

Në fillim ashtu si edhe tifozët e tjerë nuk ishte një skuadër që më bindte shumë. Me ndryshimin e trajnerit, Vllaznia ka një transformim drastik, por edhe shokut tonë Tefik Osmanit. Shpresoj që të ketë edhe ecurinë e tillë deri në fund dhe s’po them kampion, por të paktën në dy vendet e para.

A e kishit menduar këtë ecuri të ekipit?

E thashë edhe më lart nuk e kisha menduar se do kishte këtë ecuri. Fillimet nuk ishin të mira, por kalimi i javëve dhe ndryshimet sollën atë që të gjithë tani po e shohim. E ka marrë veten shumë mirë. Është një ekip kompakt dhe ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, por edhe takime jo të mira, ndonëse kur vinë rezultatet pastaj gjithçka harrohet.

E shihni Vllazninë në dy vendet e para?

Të jem i sinqertë dëshira është që të jetë kampion, por edhe dy vendet e para do të jemi shumë të kënaqur. Përsa i përket deklaratës së Shehit mund të them se çdo trajner dhe çdo ekip lufton për të arritur sa më shumë. Por objektivat arrihen në fushë dhe kjo do të shihet pas gjashtë takimeve të mbetura.

A e shihni këtë Vllazni për titull?

Të them të drejtën në këto momente e shikoj. Po bën ndeshje të mira, ka një grup lojtarësh cilësor dhe frymë grupi në skuadër. Përderisa shikojmë një Egnatia që ka ecur mirë, them pse jo Vllaznia të mos jetë kampione.

E mendoni ekipin në finalen e Kupës?

Dëshira e të gjithëve është që Vllazninë ta shohim kampione dhe të fitojë Kupën. Duhet pasur kujdes edhe në deklarime sepse edhe ekipet e tjera luftojnë për të njëjtat qëllime. Unë shpresoj që të arrijë deri në finale, pse jo ta marrë edhe Kupën.

Ku duhet bërë kujdes që të ruhet ky pozicion deri në fund?

Vllaznia ka pasur një ecuri të mirë në ndeshjet e fundit, por ka pasur edhe disa oshilacione. Në ndeshjen me Kukësin nuk e di pse humbën, pasi mund të ishim edhe në vendin e parë. Siç humbën ekipet rivale, humbëm edhe ne, prandaj duhet që të bëhet kujdes në çdo aspekt dhe të merret maksimumi nga çdo mundësi që të jepet.

Të shtunën kundër Laçit…

Vllaznia duhet të bëjë kujdes në këtë takim. Në përballjet me Laçin kemi pasur probleme si në takimet në Shkodër ashtu edhe në Laç. Për më tepër në pozitat në të cilat ndodhet skuadra e Laçit. Për më tepër Vllaznia duhet që të bëj kujdes se përballë ka një mik dhe shok tonin si Armando Cungu. Një nga trajnerët më të mirë. Një trajner që di të tregojë vlerat me çdo ekip. Duhet që të bëhet kujdes edhe për vetë faktin se Laçi vjen pas një fitore në transfertë me Teutën. Është një ekip që mundet me të marrë edhe fitoren. Megjithatë, unë shpresoj dhe besoj se do të arrijmë që të fitojmë dhe të mos llogarisim asnjë skuadër, por të bëjmë më mirën në këtë takim dhe në gjithë takimet e mbetura nëse duhet që të arrijmë titullin. Unë ju uroj fat dhe ta sjellin titullin në Shkodër.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"