“E kisha ndarë mendjen që do largohesha nga Gjilani”, rrëfimi special i Mezanit: Ju tregoj pengun dhe arritjen më të madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 20:03

“E kisha ndarë mendjen që do largohesha nga Gjilani”, rrëfimi special i Mezanit: Ju tregoj pengun dhe arritjen më të madhe

Trajneri Gentjan Mezani, mbylli aventurën me skuadrën e Gjilanit, pas humbjes në derbin ndaj Dritës me rezultatin 2-3. Në një intervistë për gazetën “Sheshi”, tekniku vlonjat ka zbuluar të vërtetën e dorëheqjes së tij, si dhe ka treguar pengun më të madh gjatë drejtimit të klubit kosovar, duke u shprehur:

mEZANI

“Është një vendim i imi që kisha marrë prej kohësh. Nuk kishte të bënte fare me rezultatet e fundit, sepse çfarëdo qofshin ato unë kisha ndarë mendjen që të mbyll ciklin tim te Gjilani pas ndeshjes derbi.

Mendoja se ishte për të mirën e skuadrës që të ndryshoheshin gjërat dhe ndoshta të vinte një klimë e re. Nuk e kam shikuar fare aspektin personal, por gjithmonë atë që mund të vinte më e mira për klubin. Unë kam ofruar dorëheqjen time një muaj më parë, pasi që kam patur arsyet e mia familjare për të cilat kam munguar dhe nuk e kam ditur kohën se kur do të mund të isha pranë ekipit.

Kam biseduar edhe me presidentin e klubit dhe i kam thënë që ndoshta është më mirë të vjen një trajner tjetër dhe të jetë afër skuadrës, pasi që rikthimi im nuk ishte i garantuar, mund të vonohesha edhe më shumë. Megjithatë, kërkesa ime nuk është pranuar.

Në bisedën që kam zhvilluar me presidentin, ai ma ka shfaqur besimin e plotë dhe ma ka ofruar rikthimin, për të cilin unë jam falenderues gjithmonë dhe jo vetëm për këtë, por për të gjitha që ka bërë ai në radhë të parë për klubin dhe më pas për Mezanin si trajner. Është njeri i jashtëzakonshëm që nuk e ka shoqin.

Shikoni, këta futbollistë që kanë ardhur në Kosovë e kanë ngritur nivelin jo vetëm të Gjilanit, por edhe të futbollit kosovar. Nëse këta futbollistë do largohen nga Gjilani, të gjitha skuadra tjera do të vrapojnë për t’i marrë. Ne kemi arritur objektivin madhor që kishim vitin e kaluar dhe duke qenë skuadra që kemi shënuar më së shumti gola edicionin e shkuar dhe duke qenë ekipi me mbrojtjen më të mirë këtë edicion. Futbollistët janë shumë profesionistë dhe unë besoj që ata që kanë lëshuar në qarkullim këta zëra ta kenë bërë për të më ‘goditur’ mua dhe jo lojtarët.

Dalja në Evropë për herë të parë në histori të klubit natyrisht se është një arritje e madhe dhe unë jam shumë krenarë që Gjilani e bëri me mua si trajner. Nuk them se është meritë ekskluzive e imja, pasi që presidenca ka investuar, lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe ne të tjerët kemi bërë punën tonë.

Mirëpo, dalja në Evropë ka qenë një arritje shumë e madhe për klubin jo vetëm në aspektin financiar për t’i mbushur arkat, mirëpo edhe për imazhin dhe të ardhmen e klubit, pasi që të tjerët e shohin si një klub që synon gjithmonë të jetë lartë e më lartë. Pengu im është titulli i kampionit.

Normalisht, sikurse isha trajneri parë që dola me skuadrën në Evropë, do të doja të isha edhe trajneri i parë që i solla titullin kampion. Do ta bëja në radhë të parë për presidentin sinqerisht, pasi që ka investuar dhe ka punuar shumë, ndaj duhej shpërblyer. Pastaj edhe për tifozët të cilët janë të mrekullueshëm dhe jetojnë për futbollin. Në fund fare jam unë, pasi që jam një trajner i ri dhe rrugën e trofeve mund ta vazhdoj diku tjetër në të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Mezani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"