“E fituam ‘bastin’ me Bizhdilin”, Magani: Ekipi luajti 75 minuta, dua afrime …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 18:49

“E fituam ‘bastin’ me Bizhdilin”, Magani: Ekipi luajti 75 minuta, dua afrime …

Gugash Magani u kënaqet pikëve, por jo lojës. Besa e tij e mundi Elbasanin, e megjithatë trajneri e ka një shqetësim. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, shfaq kritika për lënien e lojës në 15 minutat e fundit, por edhe për të rinjtë që futi si zëvendësues.

bizhdili magani 

Ka edhe një “SMS” për presidentin, ndërsa i kujton se e fituan “bastin” për 3 fitore radhazi. “Për asnjë moment nuk dyshoja se ekipi im do të fitonte. Bazohesha në forcën që kemi, por edhe në momentin jo të mirë që po kalon Elbasani. Pikët më kënaqin, por diçka më shqetëson. Për mbi 75 minuta, ekipi dha shpirtin në fushë dhe ishte rezultativ.

Bënë mirë portieri Dobjani, mbrojtësit Zeqiri, Zefi e Golçalves, si edhe sulmuesi Cara dhe Çelhaka. Por, nga fundi sikur e lëshuan disi ritmin. Me këtë nuk them se të tjerët s’më bindën, por thjesht veçova ata që bënë më shumë. I gjithë grupi pas golit të tretë u zbeh. Ndoshta edhe fakti se Elbasani nuk kishte forcë të na rrezikonte, sikur e zbehu lojën. Kjo më detyroi që në 15 minutat e fundit të ngrija edhe to net, ndonëse kishim shënuar 3 gola deri në atë moment. Prandaj them se më kënaqi fitorja, po jo aq sa duhet loja”, tha fillimisht peqinasi.

KRITIKAT 

Magani ka kritika edhe për lojtarët e rinj që u futën zëvendësues si Kacbufi, Hoxha e Shaqe. “Kur unë dhe shokët e mi ishim 17-18 vjeçarë, e kishim ëndërr të hynim qoftë dhe 3 minuta në fushë. Mezi prisnim të futeshim. Ata duhet të nxjerrin ‘xixa’ kur luajnë, pasi kanë rininë, forcën dhe nevojën për të luajtur. Nuk e pashë këtë emocion, angazhim dhe dëshirë te lojtarët e rinj që aktivizova.

gugash magani

Personalisht jam munduar t’i mbështes dhe aktivizoj në çdo ndeshje thuajse të gjithë të rinjtë. Ua kam bërë të qartë se duhet ta quajnë veten me fat që janë në një ekip si Besa, që i përkrah dhe aktivizon. Në ekipe të tjera për moshën që kanë do i linin rezervë gjithë kohën”, u shpreh trajneri.

BASTI 

Tekniku i verdhezinjve flet edhe për “bastin” e fituar me presidentin dhe tifozët. Kujtojmë se Nexhat Bizhdili kishte “ngrirë” rrogën e muajit tetor, me kushtin e marrjes së 9 pikëve rresht. Dhe Besa ia doli, duke përmbushur ultimatumin.

“Gjithnjë kam besuar te ky grup, pavarësisht oshilacioneve të javëve të para, sepse i ka të gjitha kapacitetet dhe vlerat të ngjitet në tabelë javë pas jave. Këto 3 javët e fundit treguam pikërisht atë që kërkoja, stabilitet në lojë e rezultate.

besa

Futbollistët u treguan më pragmatistë në rastet për shënim e po kaq të saktë në prapavijë. Fituam edhe ‘bastin’ me presidentin duke marrë 3 fitore rresht, aq sa ai kishte kërkuar. Besoj se në janar do ndërhyjmë patjetër në merkato, duke afruar edhe disa lojtarë të tjerë cilësorë e me përvojë”, përfundoi numri një i pankinës kavajase.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"