“Dueli me Arabinë u bë për përfitim personal, duhet hetuar”, akuza e Jupit: Bëjnë Edi Rejan mish për top, qoka me kombëtaret e moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 0:17

“Dueli me Arabinë u bë për përfitim personal, duhet hetuar”, akuza e Jupit: Bëjnë Edi Rejan mish për top, qoka me kombëtaret e moshave

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit, Redi Jupi, mendon se ka ardhur koha që të hetohet zhvillimi i ndeshjes miqësore të Kombëtares kuqezi me Arabinë Saudite. Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, Jupi i ka bërë thirrje organeve hetimore të ndërhyjnë për këtë shkelje të dinjitetit të simboleve kombëtare.

redi jupi

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Jupi ka theksuar se edhe fakti që po kritikohet publikisht trajneri Edi Reja, është vetëm një fasadë për të mbuluar shkaktarët e vërtetë të dështimit kuqezi.

“Në ndeshje të këtij lloji, shtete si Arabia Saudite, Katari apo vende të Lindjes së Mesme, paguajnë shumë para, të cilat në shumicën e tyre janë informale. Ia paguajnë federatave të vogla, se nuk dua të them ndonjë fjalë tjetër, si puna jonë, për të zhvilluar ndeshje të cilat nuk kanë asnjë vlerë tjetër përveçse vlerës financiare, përfitimin financiar të atij që e bën.

Ndeshje të këtij lloji, institucioni jonë, ose njeriu që drejton institucionin tonë, i bën thjesht për përfitime personale. I bën në data jo të FIFA-s dhe UEFA-s, i bën të patransmetuara që është komplet jodinjitoze, zhvlerësim total i dinjitetit dhe simboleve kombëtare. Se ata të vënë kushte dhe të vënë kushte kur të paguajnë. Dhe kur pagesat bëhen siç bëhen, se nuk është fare normale. ky nuk është ekip privat, edhe unë kam detyrim me skuadrat e fëmijëve, imagjino pak një ekip kombëtar që përfaqëson simbolet e një kombi. Emocionet e një tifozerie të tërë, që ti mund të bësh çfarë të duash, ta bësh pa tifozë, të thërrasësh kë të duash, etj., etj.

Një gjë që duhet hetuar. Këtu nuk ka më thjesht të bëjmë analiza, kjo është maskaradë, një masakër. Këtu organet ligjvënëse e ligjzbatese duhet të hetojnë për ndeshjet e këtij lloji.

Mungesë lojtarësh nga superiorja në Kombëtare? Liga jonë ka dhe ka pasur probleme të mëdha të mungesës së cilësisë, të garës së kontrolluar nga lart e cila bën që në fund performanca e skuadrave të ulet, të humbin motivin për të konkurruar pastër. Kur përcakton kush del kampion e bie, është e vështirë të merresh me aspektin teknik të përmirësimit të skuadrës. Ky është një nga komponentët. I dyti është mungesa e strategjive dhe politikave të duhura për të mbështetur lojtarët e duhur që luajnë në klubet shqiptare. Vërtetë ne nuk kemi pasur yje që nga një skuadër e mesme apo e mirë të luajë në ekipin A, por duhet të kemi strategjtë e duhura që të dimë dhe të ndajmë kush janë lojtarët e duhur të talentuar, të cilët me mbështetjen e institucionit e stafit të ekipit, mundet që me një dorë të bëjnë mirë nesër-pasnesër në ekipin kombëtar. Ata duhen ndihmuar pak për të shkuar atje, që nesër-pasnesër të bëjnë hapin e madh për të shkuar në klube të mëdha në Europë.

Unë mendoj që në këtë moment Reja po bëhet mish për top për opinionin publik, që të gjithë të merren me Rejan, mos te merren me shkaktarin e vërtetë të këtyre rezultateve që kemi. Jo vetëm me ekipet kombëtare por në çdo aspekt të futbollit tonë. Kemi një Superligë që ka zbritur ku nuk ka qenë asnjëherë, shumë ulët në UEFA. Kemi ekipe kombëtare të moshave që janë ku thërret qameti të gjitha, që më shumë janë qoka po themi dhe histori të tjera që nuk është vendi këtu për t’i thënë, por janë të tmerrshëm dhe të frikshëm me çfarë bëhet me ekipet kombëtare të moshave. Kemi organizimin e futbollit të moshave që është në një pikë që nuk di ça të them më për futbollin e moshave. Çdo gjë shkon keq e më keq, tani në këtë moment duan t’ia shkarkojnë Rejas. E kanë nxjerrë para publikut, i cili nuk është i interesuar për politikat që bëhen atje brenda, sheh ekipin kombëtar, sheh trajnerin e thotë duhet hequr. Kështu siç jemi neve, këdo të vësh atje, në daç ta mbash apo ta heqësh, kështu do shkojmë. Ndaj nuk mendoj se duhet parë Reja por duhen parë gjërat pak më lart”, tha ndër të tjera Jupi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"