“Dua fitore me Bylisin”, Çela: Flamurtari ka një grup të edukuar, në fushë kush e meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2023 | 23:28

“Dua fitore me Bylisin”, Çela: Flamurtari ka një grup të edukuar, në fushë kush e meriton

Flamurtari do ta presë Bylisin me halle. Indio Oliveira dhe Behar Ramadani janë mungesa të sigurta. Janë dënuar nga Disiplina që vjet, prej sherrit në ndeshjen kundër Korabit. Braziliani është pezulluar me pesë ndeshje, ndërsa shkodrani me tri. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Emiljano Çela e ngre këtë shqetësim.

Cela

Trajneri i quan të rëndësishëm për ekipin, e megjithatë mendon se pjesa tjetër do t’ia bëjë gjithçka më të thjeshtë. Kërkon pa diskutim fitoren ndaj ballshiotëve, ndonëse e paralajmëron të vështirë.

Jeni i kënaqur me sinjalet që morët nga ekipi në miqësoren e fundit?

Në fakt, po. Mora sinjale shumë të mira. Jam shumë i kënaqur për paraqitjen e skuadrës, pasi zbatoi ato gjëra që i kemi punuar në seancat stërvitore. Më bindën edhe ata që kanë ardhur me vonesë, si Mateus apo Estefano.

Mora sinjale shumë të mira nga Oliveira, ndonëse nuk e llogaris dot në formacion, për shkak të dënimit. Patjetër që presim të gjithë lojtarët të kthehen në formën e tyre më të mirë, edhe ata që vijnë nga dënimet që të plotësojmë grupin dhe të kemi sa më shumë lojtarë efektivë dhe mundësi zgjedhjeje.

Megjithatë, keni shumë lojtarë në dispozicion. E keni të vështirë të zgjidhni?

Një fjalë e urtë thotë: “Këto halle paçim”. Kush e meriton, do të luajë. Prandaj zhvillohen edhe këto miqësore apo seancat stërvitore, që të shohim gjendjen e secilit. Nëse ka angazhim, patjetër që do të marrin hakun e vet. Unë e kam thënë edhe më parë që puna ime këto parime ka: drejtësi dhe profesionalizëm.

Keni zhvilluar ndonjë analizë për çfarë nuk shkoi me Luzin?

Në takimin e parë, përveç golave, mendoj se i provuam të gjitha, penallti, shtyllë, raste. Mund të kemi pasur të paktën 5-6 raste vetëm për vetëm me portierin. Kemi hyrë të paktën mbi 20 herë në zonë të rrezikshme të kundërshtare, përpos rasteve pastaj të rëndësishme si penalltia dhe shtyllat. Futbolli është edhe çështje fati. Mua më pëlqen se ekipi stërvitet mirë. Ky është një grup i edukuar.

Është koha të mendoni për Bylisin. Si e shikoni këtë përballje?

Nuk është shpejt, pasi ndeshja erdhi. Edhe testi miqësor me Besën u zhvillua në shërbim të Bylisit. Kështu që jam i sigurt që ekipi do të shprehet mirë në ndeshjen me ballshiotët dhe patjetër që do të kërkojmë fitoren.

Sa ju bind ky ekip për ngjitjen në Superiore?

Unë jam i bindur se në qoftë se ky grup vazhdon punon në këtë mënyrë dhe me këtë lloj serioziteti e profesionalizmi, Flamurtari do të ngjitet në Superiore.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"