“Dridhet” Interi, Reali bën gati ofertën për të transferuar yllin e zikaltërve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2023 | 21:52

“Dridhet” Interi, Reali bën gati ofertën për të transferuar yllin e zikaltërve

Lautaro Martinez ka qenë protagonisti absolut i këtij sezoni të Interit, sezoni më i mirë i tij me fanellën zikaltër, gjatë të cilit shënoi 28 gola në të gjitha kompeticionet. Mbërritja e zikaltërve në finalen e Champions League ka qenë edhe meritë e tij dhe një skenë e tillë europiane e vendosi edhe një herë tjetër në qendër të vëmendjes argjentinasin.

lautaro martinez

Fituesi i Kupës së Botës në Katar ka ngjallur mbi të gjithë interesimin e Real Madridit siç kanë raportuar mediat spanjolle, një interesim për të cilin drejtuesit e Interit, nga Marota te Zaneti janë shprehur se nuk janë vendosur në dijeni.

Pavarësisht kësaj, zërat vazhdojnë të mbërrijnë nga gadishulli Iberik dhe nuk mund të lënë indiferent as kryesinë zikaltër e as vetë lojtarin. Siç raporton “Mundo Deportivo” ndër emrat e kërkuar nga Karlo Ançeloti për merkaton e verës është ai i Lautaro Martinezit.

Trajneri është një nga adhuruesit e 25-vjeçarit, për të cilin është i bindur se ka të gjitha cilësitë e goleadorit që i shkojnë për shtat skuadrës madrilene. Numrat dhe statistikat e këtij sezoni e kanë shuar edhe më shumë bindjen e teknikut italian mbi atë që mund t’i ofrojë ekipit “demi”, që edhe pse ka trumbetuar lidhjen me fanellën zikaltër nuk është kategorik mbi refuzimin ndaj Real Madridit.

Një klub si 14 herë fituesit e Champions League nuk është i lehtë të refuzohet për asnjë dhe Lautaro nuk do ta përjashtonte mundësinë që mund t’i vinte një herë në jetë.

Sidoqoftë, transferimi i tij në Madrid nuk do të vinte pa shifra të larta, me Interin që një sezon më parë e ka vlerësuar në 80-90 milionë euro kartonin e tij.

Edhe pse Lautaro është konsideruar si siguria e vetme në repartin ofensiv, nuk përjashtohet që mbërritja e një oferte të lartë mund ta largojë atë nga Milano, aty ku shumë do të vendoset edhe nga vetë lojtari që konsiderohet kapiteni i ardhshëm i skuadrës.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"