Dridhej nga i ftohti, Alia kujton fitoren e Skënderbeut: Me Kukësin ishte e pazakontë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 9:51

Dridhej nga i ftohti, Alia kujton fitoren e Skënderbeut: Me Kukësin ishte e pazakontë

Fitorja me Kukësin ishte një rezultat i çmuar për korçarët, që konsoliduan pozitat e tyre në klasifikim dhe lanë pas një kundërshtar direkt në luftën për mbijetesë. Tri pikët erdhën me vuajtje, në një ndeshje që do të mbahet mënd gjatë për dinamikat e krijuara. I këtij mendimi është edhe portieri i Skënderbeut, Marko Alia, ai që ndoshta e ka përjetuar më shumë se kushdo sfidën me Kukësin, veçanërisht gjatë pjesës së dytë.

marko alia

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Alia tregon rëndësinë e kësaj fitoreje, ndërsa rrëfen edhe makthin e shkaktuar prej kushteve atmosferike. “Me Kukësin ishte një ndeshje, të cilën ne e donim të fituar me çdo kusht. Qëllimi kryesor u arrit dhe jemi të kënaqur për këtë, por nuk kemi zhvilluar një lojë të mirë. Jemi të gjithë koshientë që kemi gabuar shumë. I kemi analizuar të gjitha, por për mendimin tim ishte nga ato takime që luhen jashtë çdo llogarie apo pritshmërie. Kushtet e motit kushtëzuan gjithçka, veçanërisht në pjesën e dytë.

Nuk mund të them se ishte një fitore fati, pasi ne shënuam dhe patëm raste për të mbyllur ndeshjen, ndërsa nuk lejuam që kundërshtari të kishte mundësi për të barazuar takimin. Në pjesën më të madhe të lojës mendoj se bëmë mirë, ndërsa pjesa tjetër ishte më shumë e ndikuar nga faktorë të tjerë sesa nga aftësitë e ekipeve”, ka thënë fillimisht numri një i portës së Skënderbeut.

I FTOHTI – I ndalur më pas tek ajo që solli i ftohti në takimin e luajtur të dielën në Korçë, Alia thekson se asnjëherë më parë nuk e kishte provuar një 90-minutësh të tillë. Sipas tij, fati ishte me Skënderbeun që ndeshja u zhbllokua që në minutat e para, pasi në të kundërt do të ishte shumë problem marrja e triumfit. “Të gjithë që kanë parë këtë takim nga stadiumi, e kuptojnë mirë se sa e vështirë ka qenë për lojtarët në fushë të shprehen në një situatë të tillë. Veçanërisht gjatë pjesës së dytë patëm shumë probleme. Sidomos ne, pasi erën e kishim kundër dhe nuk mund të nisnim aksione me topin e gjatë. Në disa momente që e tentova, topi kthehej në një të tretat e fushës. Në kushte të tilla, për këdo bëhet e vështirë. Megjithatë, dua të them që ata që luajtën nga të dyja ekipet, meritojnë vetëm përgëzime. Ishte shumë e vështirë dhe gjithçka u pa më së miri”, tregon Alia.

ERZENI – Ndeshja e radhës e Skënderbeut është të shtunën në transfertë kundër Erzenit, teksa do të luhet në stadiumin e Rrogozhinës në orën 13:30. Portieri është i ndërgjegjshëm se i pret një takim shumë delikat. “Kundër Erzenit na pret një tjetër ndeshje e vështirë, sepse luajmë në transfertë me një kundërshtar që ka ndryshuar shumë dhe kërkon pikë për t’u larguar nga vendet e fundit.

Jemi të bindur që duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë për të marrë fitoren, pasi është i vetmi rezultat që na bën punë. Përtej mungesave që kemi, jemi duke u përgatitur mësë miri dhe mendoj se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze”, përfundoi prononcimin portieri titullar i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"