“Drejtuesit duhet të jenë të përgatitur për sezonin në elitë”, Dalipi: Titulli kampion, detyrim për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 13:55

“Drejtuesit duhet të jenë të përgatitur për sezonin në elitë”, Dalipi: Titulli kampion, detyrim për Elbasanin

“Tani që Elbasani e arriti vendin e parë, nuk duhet ta lëshojë më”. Kështu u shpreh gjatë një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti dhe drejtuesi i skuadrës së Elbasanit, Sabri Dalipi. Në fjalën e tij, ai thekson se në klub janë afruar lojtarë me eksperiencë që vijnë nga Superiorja.

SABRI DALIPI

Dalipi ka bindjen se verdheblutë do të dinë ta shfrytëzojnë këtë gjë për të mbajtur presionin që të vjen nga pas. “Të them të drejtën më dukej çështje kohe edhe arritja e vendit të parë. Ekipi duhet të priste vetëm të gabonte rivali dhe ashtu ndodhi, sepse tek Elbasani nuk kisha shumë dyshime që do të vijonin me ecuri pozitive. Tani, skuadra do të duhet vetëm të menaxhojë ndeshjet e veta dhe me eksperiencën që ka do t’ia dalë.

Elbasani ka në përbërje lojtarë të nivelit të Superiores dhe dinë të mbajnë presione në këtë kategori, sepse edhe mbajtja e vendit të parë është një presion më vete. Personalisht mendoj që titulli kampion është kthyer tani në një detyrim dhe të mos kënaqen vetëm me ngjitjen në Superiore”, u shpreh fillimisht Sabri Dalipi.

EKIP NË RRITJE – Ajo që i jep më shumë besim Dalipit është ecuria pozitive e javëve të fundit dhe rritja që ka pësuar në lojë. “Elbasani nuk është rastësisht në krye. Vjen si pasojë e lojërave të mira të javëve të fundit. Edhe kur skuadra ndoshta nuk ka qenë në maksimumin e vet, ka ditur të tregohet cinike dhe në fund të marrë pikët. Kjo i duhet një skuadre për të qenë pretendente dhe Elbasani e ka, në sajë edhe të kualiteteve dhe investimeve që kanë bërë drejtuesit. Me pak fjalë, duke parë nivelin që po tregojnë dhe lojërat që vijnë në rritje, pasi edhe rezultatet e thella nuk janë rastësore. Kam besimin se në fund do ta mbyllin në krye”, vijoi më tej ish trajneri i moshave ndër vite në klubin e Elbasanit.

SUPERIORJA – Edhe pse matematikisht duhen pritur disa javë për t’u zyrtarizuar në elitë, Dalipi thekson se tani ka ardhur koha që klubi të mendojë seriozisht edhe për Superioren vitin e ardhshëm. “Unë e kuptoj që në klub nuk mund të flasin që tani për Superioren, pasi janë profesionistë dhe duhet të respektojnë garën ku marrin pjesë. Drejtuesit duhet të nisin që tani punën me evidentimin e lojtarëve që do t’i shohin si baza për sezonin e ardhshëm. Në klub duhet të jenë të përgatitur edhe për këtë gjë të mundohen të mos bëjnë shumë lëvizje, edhe pse ngjitja në një tjetër nivel dhe ndonjëherë kërkon ndërhyrje të mëdha”, mbylli prononcimin e tij Sabri Dalipi.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"