Dënimi i Tërbunit nga Federata, ja cilat skuadra përfitojnë dhe… penalizohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2023 | 23:55

Dënimi i Tërbunit nga Federata, ja cilat skuadra përfitojnë dhe… penalizohen

Përjashtimi i Tërbunit e prish në njëfarë mënyre garën në Kategorinë e Parë, qoftë sa i përket mbijetesës, ashtu edhe skuadrave që pretendojnë të ngjiten në Superiore. Sipas rregullores, kur një klub përjashtohet nga aktiviteti në momentin që është luajtur 50% e garës, të gjitha skuadrat që do të përballen me të në bazë të kalendarit, i fitojnë ndeshjet në tavolinë me rezultatin 3-0.

dhuna terbuni turbina

Kësisoj, kur mbeten edhe pesë ndeshje për t’u luajtur në Kategorinë e Parë, duke filluar nga kjo javë është Besa e Kavajës që ka luksin të pushojë dhe të marrë tri pikë. Më pas radhën e kanë Lushnja dhe Luzi 2008 që luftojnë për mbijetesë, teksa do të marrin fitore shumë të rëndësishme pa luajtur fare.

Kalendari vijon edhe me Dinamon që është për t’u ngjitur në elitë dhe për javën e 25-të, blutë do të marrin fitore në tavolinë.

Ndërsa trepikëshin e fundit për shkak të përjashtimit të Tërbunit e përfiton Oriku, një tjetër skuadër që kërkon të mbijetojë dhe aktualisht pozicionohet në vendin e parafundit.

Këtë sezon bien direkt katër skuadra nga e Para në të Dytën, ndërsa vendet 9 dhe 10 bëjnë një ndeshje shtesë për qëndrimin në kategori me fitueset e fazës “play off” në Grupet A dhe B të së Dytës.

Largimi nga kjo garë e një skuadre si Tërbuni, që ishte kandidat potencial për të qëndruar në kategori dhe i pozicionuar në vendin e 10-të përpara se të dënohej, ua thjeshtëson vazhdimësinë skuadrave si Lushnja, Luzi dhe Oriku, që natyrshëm do ta kishin shumë të vështirë për të mundur pukjanët.

Por, kjo ndikon shumë edhe në garën për kreun, pasi Flamurtari ka humbur një ndeshje me pukjanët, ndërsa Skënderbeu ka barazuar ndaj Tërbunit. Edhe Dinamo ka humbur në Pukë, por tani ka luksin të mos sforcohet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"