Bylisi pret Vorën, trajneri Bellai: Betejë mes rivalësh, në fushë me lojtarët më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 10:28

Bylisi pret Vorën, trajneri Bellai: Betejë mes rivalësh, në fushë me lojtarët më të mirë

Ballshiotët kanë zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore për të qenë sot të gatshëm për sfidën me Vorën. Takimi do të luhet në stadiumin “Adush Muçaj” në orën 13:30.

bellaiiii

Trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij e kanë skicuar 11-shen që do të hedhin sot në fushë, ndërsa skuadra do të kërkojë marrjen e 3 pikëve. Bellai është optimist, ashtu si dhe të tijtë. Këtë, trajneri i mallakastriotëve e pohon për “Panorama Sport” në prag të duelit me vorakët, që konsiderohen si një nga ekipet rivale.

“Luajmë një ndeshje me një nga rivalët tanë për Superioren dhe dihet që do të hyjmë në fushë për ta diktuar këtë sfidë, aq më tepër që luajmë në shtëpinë tonë. Është ndeshja e parë e këtij viti në kampionat, teksa e nisëm me disfatë në Kupën e Shqipërisë. Por kampionati është tjetër situatë dhe këtu është edhe synimi kryesor, ngjitja në Superiore. Kjo pjesë e dytë e garës ka shumë llogari dhe këtë e them nga eksperienca ime si trajner, por edhe nga fakti që e njoh kampionatin. Kryesojmë bashkë me Elbasanin, luajmë sot të dyja ekipet, por duhet që të shohim ndeshjet tona dhe të bëjmë mirë detyrat që na dalin përpara. E bëmë këtë në pjesën e parë ë garës dhe në fund ishim ne të parët me meritë. Këtë duhet që të bëjmë edhe në këtë fraksion të garës dhe kam besim se në fund do të jemi aty ku duam. Natyrisht që do të jetë më e vështirë, por me punë dhe besim ia dalim, duke nisur që nga kjo me Vorën në shtëpinë tonë. Do të hyjmë në fushë vetëm për 3 pikët dhe do t’ia dalim, sepse kemi qenë dhe jemi më të mirë sesa kundërshtari. Sa i përket formacionit, do të luajmë me më të mirët. Kemi një kontingjent të plotë dhe lojtarë me eksperiencën e duhur”, tha Bellai.

Bylisi pret të ketë mbështetje të konsiderueshme të tifozëve.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"