“Burreli kërkon vlerësim, të përligjim objektivat e klubit”. Apeli i Hilës: Elbasani pa eufori, kreu duhet ruajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 13:45

“Burreli kërkon vlerësim, të përligjim objektivat e klubit”. Apeli i Hilës: Elbasani pa eufori, kreu duhet ruajtur

Elbasani shpreson që ta ruajë vendin e parë në klasifikim deri në fund, në mënyrë që ngjitjen në Superiore ta sigurojë duke u shpallur kampion. Në fakt, edhe investimet e klubit janë të tilla që skuadra të bëjë diferencën në këtë kategori dhe në njëfarë mënyre shpallja kampion ka qenë objektiv real, përpos ngjitjes.

hila

Megjithatë, deri në mbyllje të kampionatit janë ende shumë ndeshje dhe pikë në lojë, teksa duhet të kalojnë me radhë pengesat që u dalin para. E radhës është ajo kundër Burrelit, takim të cilin e luajnë nesër në “Elbasan Arena”, një kundërshtar që i ka hapur punë në dy fazat e para.

HILA – Besimplotë se Elbasani nuk e lëshon më vendin e parë është edhe përforcimi i janarit, Ardit Hila. Mesfushori është kthyer shumë shpejt në një pikë kyçe të ekipit, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist me eksperiencë që la Superioren pikërisht për të ngjitur Elbasanin atje nga erdhi. Si një elbasanas, ai e përshkruan këtë moment me një batutë. “Elbasani e mori kryesimin për Ditën e Verës, por nuk do ta mbajë vetëm për kaq. Ky kryesim u arrit për ta mbajtur deri në fund.

Edhe investimet që ka bërë klubi dhe ajo që presin tifozët dhe i gjithë qyteti lidhen me shpalljen kampion. Kishim besim se herët apo vonë diçka e tillë do të ndodhte. Tani kërkohet nga ne më shumë kujdes dhe të mos kalojmë në eufori, sepse kampionati është shumë i gjatë. Mjafton një gabim dhe mund ta humbasim sërish këtë pozicion”, u shpreh fillimisht mesfushori verdheblu, që kërkon të mbajë në tonus skuadrën deri në fund të kampionatit.

BURRELI – Më tej, Hila ndalet edhe te kundërshtari i radhës, ndaj të cilit tregon respekt, por ka besim te trepikëshi. “Burreli meriton respektin tonë maksimal, si çdo skuadër e këtij kampionati. Nëse ne sot jemi në krye, lidhet me faktin që kemi respektuar çdo kundërshtar ashtu si duhet dhe asnjëherë nuk i kemi nënvlerësuar. Vetëm kështu mund të marrim maksimumin. Shpesh herë ndodh që edhe hasim vështirësi, por kjo tregon se asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe duhet të djersish shumë për të marrë tri pikët. Elbasani i ka detyrim ato, për më tepër kur luajmë në shtëpi përkrah tifozëve tanë”, mbylli prononcimin e tij për “Panorama Sport” mesfushori Ardit Hila, që synon titullin kampion me Elbasanin.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"