Brenda javës nisin firmat te Lushnja, Duro ka një apel për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2022 | 11:47

Brenda javës nisin firmat te Lushnja, Duro ka një apel për…

Po mbyllet java e dytë e përgatitjeve në Lushnjë, por zyrtarisht nuk është hedhur asnjë firmë. Janë 10 lojtarë të cilët kanë rezistuar nga vjet dhe një mori afrimesh që mbeten në pritje të klubit.

Sefa-Duro

Duhet të ulen me drejtuesit për të folur për anën financiare dhe nëse gjejnë akordin, do të nënshkruajnë. Marrëveshjet priten të jenë sezonale, ashtu si ka funksionuar çdo vit te verdhejeshilët.

Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë trajneri Klodian Duro. Ai qartëson se këto 2- 3 ditë do të nisin firmat. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai sqaron se këto ditë do të vendosë edhe për lojtarët që ka pasur në vëzhgim.

“Po stërvitemi me intensitet. Jam shumë i kënaqur nga impenjimi. Ka entuziazëm në ekip. Të gjithë po marrin ngarkesën e duhur. Mendojmë që deri në fund të javës do punojmë këtu dhe pasi të zhvillojmë një ndeshje brenda grupit, do të japë disa konkluzione. Do të shikojmë çdo futbollist me imtësi për të formuar atë grup që ne dëshirojmë, grupin fitues.

Vlerësoj angazhimin e lushnjarëve, po impenjohen maksimalisht për qytetin e tyre. Unë mendoj që edhe ata kanë potencial dhe do ta rrisin këtë nga dita në ditë.

Paralel po punojmë edhe me klubin, ndaj kam një thirrje për të gjitha bizneset lushnjare. T’i bashkëngjiten projektit tonë, sepse është në të mirën e të gjithëve.

Në të mirën e sportit, por edhe të bizneseve për t’u reklamuar dhe për të qenë pjesë jona në çdo hap tonin. Kam pasur një takim me kryebashkiaken, e cila na ka qëndruar shumë pranë.

Mendoj që këto dy-tri ditë të fillojmë dhe nënshkrimin e kontratave me futbollistët, me rinovimet e pjesës së lojtarëve që duan të qëndrojnë me ne. Këtu hyjnë dhe futbollistët e ardhur.

Paralel me këtë, kryetarja është në bashkëbisedim të vazhdueshëm me të gjithë faktorët e biznesit lushnjar. Ajo po kërkon të sigurojë sa më tepër fonde për një vazhdimësi të mirë të kampionatit”, përfundoi tekniku.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"