Bellai: Të gjitha si finale, ekipi im nuk zhgënjen as sot kundër Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2024 | 9:10

Bellai: Të gjitha si finale, ekipi im nuk zhgënjen as sot kundër Lushnjës

Arian Bellai beson te vazhdimësia e Bylisit edhe sot kundër Lushnjës në transfertë.

Bellai

Trajneri gjirokastrit që drejton ballshiotët, në intervistën për “Panorama Sport”, foli për rëndësinë e sfidës së sotme, por edhe merkaton e bërë. Skuadra ballshiote vjen e plotë në këtë takim, në një kohë që ka shumë rivalitet për formacionin.

Bellai, sot luani një duel force në Lushnjë. Si e prisni sfidën?

Në këtë periudhë do të jetë një malore akoma më e madhe për ne, sepse jemi skuadra për t’u mundur në Kategorinë e Parë. Të gjithë bëjnë llogari, por ne duhet që ta kalojmë me sukses çdo sfidë. Luajmë një ndeshje delikate, por që vlen 3 pikë dhe ne na duhet të jemi shumë vigjilentë. E kaluam Vorën, por po aq e vështirë është edhe Lushnja.

Sa e njihni kundërshtarin e radhës?

E njoh mjaftueshëm, aq sa i nevojitet një trajneri për të dhënë më të mirën në ndërtimin e skemave dhe të hedhë në fushë një skuadër fituese. Respekte për stafin e Lushnjës, për skuadrën që kanë dhe tifozërinë e e tyre. Na duhet fitorja për të ruajtur ritmin.

Në transfertë keni qenë kockë e fortë këtë sezon, do të vazhdoni ta bëni?

Nuk i ngjan ndeshja-ndeshjes, por as skuadra-skuadrës, sidomos tashmë pas merkatos. Ekipet kanë ndryshuar, por që kur e kemi nisur kampionatin, kemi treguar se mund të fitojmë në çdo fushë.

Keni mbyllur merkaton me gjashtë afrime, është Bylisi “top” për pjesën e mbetur të sezonit?

Kemi bërë një merkato për të qenë solidë në çdo repart, por sigurisht duke ndjekur politikat e klubit. Afruam lojtarë të rinj, që duke punuar dhe marrë hapësirat e duhura në Ballsh, jam i bindur që do të shpërthejnë dhe më pas në një të ardhmen mund të shiten nga klubi.

Kryesoni bashkë me Elbasanin, si e shikoni garën deri në fund?

Unë u them edhe lojtarëve, që vetëm në fund do të bëjmë llogaritë, edhe pse e meritojmë të jemi të parët. Mos harroni se kemi edhe një ndeshje më pak, pasi do të luajmë edhe kundër Kastriotit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"