Bellai: Më gëzon fakti që shënojnë të gjithë, Bylisi ka kohë për kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 10:40

Bellai: Më gëzon fakti që shënojnë të gjithë, Bylisi ka kohë për kreun

Bylisin e pret sot transferta e Burrelit, takim i cili do të nisë në orën 14:00 në stadiumin “Liri Ballabani”. Trajneri Arian Bellai e thotë hapur në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, se Bylisi do të kërkojë fitoren, pasi ka skuadrën më të mirë në këtë kampionat.

BELLAI

Bellai, në prag është ndeshja me Burrelin në transfertë…

Është një ndeshje si gjithë të tjerat. E vlerësoj Burrelin, ku pas ndeshjes së parë në Ballsh kam thënë se do të jetë nga ekipet më simpatike. Bylisi duhet të futet në fushë me kokën lart, pasi kemi punuar shumë dhe djemtë i kanë marrë porositë në këtë periudhë pauze të garës. Besoj se do të jemi në një ditë të mirë në Burrel.

Në dy sfidat e para keni fituar me matjanët, çfarë kërkoni sot?

Duel i radhës, që e trajtojmë si finale. Burreli ka ekip të mirë dhe e respektojmë. E njoh mirë dhe kanë ardhur në rritje, por do të përpiqemi të jemi ai Bylisi që luan fort e dominon edhe me të fortët. Na duhen pikët më shumë se kurrë. Janë takime vendimtare, sidomos në realizimin e synimeve. Në dy fazat e para është luajtur futboll “fair play” dhe i bukur mes dy ekipeve. Uroj dhe shpresoj që edhe sot të shkoj çdo gjë më së miri dhe në fund t’i japim dorën njëri-tjetrit.

Skuadrën e keni më të plotë në këto momente…

Kemi vuajtur shumë mungesat në disa takime, madje kur lojtarët kanë qenë në kulmin dhe formën më të mirë. Kemi pasur pezullime e dëmtime, por shpresoj që mungesat mos të na ndjekin më deri në fund. Po punojmë të qetë dhe skuadra duhet të shprehet me gjithë mundësitë që ka.

A do ta zgjidhni çështjen e kreut pa e lënë për ndeshje të fundit?

Mendjen e kemi vetëm te ndeshja me Burrelin. Ka kohë për kreun. Deri këtu unë kam ardhur me atë filozofinë që t’i marrim ndeshjet një e nga një, dhe ja ku jemi. Kreun e kemi pasur ne dhe besoj se në fund kur të bëjmë llogaritë, matematika do të flasë në anën tonë.

Te Bylisi shënojnë të gjithë, edhe pse keni kualitete në sulm…

Kjo më gëzon si trajner, për faktin se grupi më përgjigjet dhe të gjithë lojtarët janë në dobi të skuadrës. Edhe sulmuesit kanë shënuar, madje nëse i shohim me kujdes janë gola vendimtarë. Ne varemi nga forca e grupit dhe jo nga individë të veçantë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"