“Bashki e korruptuar, nuk e dimë ku do të përfundojmë”, shpërthen presidenti i klubit të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 0:05

“Bashki e korruptuar, nuk e dimë ku do të përfundojmë”, shpërthen presidenti i klubit të Kategorisë së Parë

Lezhjanët e Shënkollit, si gjithë të tjerët, qëndrojnë në banesat e tyre dhe presin vendimet e qeverisë e federatës për të ardhmen. Drejtuesit e ekipit janë në vështirësi të madhe aktualisht. Shënkolli financohet nga aksionerët Artan Djala, i cili është edhe president, Kristian Gjidoda dhe Albert Rustja. Ata po hasin vështirësi, sepse aktivitetet e tyre janë ndaluar, ndërsa qeveria dhe Bashkia e Lezhës nuk po i ndihmon. Për “Panorama Sport”, presidenti Artan Djala shpreh indinjatën ndaj Bashkisë së Lezhës:

Shenkolli-Djala

“Po mbushen 2 muaj që është ndërprerë kampionati. Nuk dihet kur do të rinisë dhe duke ditur problematikat e futbollit nga ana ekonomike, goditja është e madhe. Shënkolli është skuadër që financohet 100% nga ne sponsorët, unë, Kristian Gjidoda dhe Albert Rustja. Ndonëse jemi në territorin e Bashkisë Lezhë, pushteti vendor as që mendon fare për ne. Që kur bashkia ka rënë në dorë të ‘Pukës’, territori i Lezhës është fshirë nga harta e saj, nuk na është dhënë asnjë ndihmë, të gjitha i kemi bërë vetë. Të gjitha fondet e sportit të ndara nga buxheti i këtij viti i janë alokuar shumësportëshit, por përveç futbollit, sot me siglën e Besëlidhjes dhe Shënkollit nuk ka asnjë sport tjetër në aktivitet. Është korrupsion i gjallë.

Kryebashkiaku i mëparshëm na ka ndihmuar, ai e dinte se futbolli është me humbje, tani jemi në mëshirë të fatit. Nuk e di se këto fonde ku shkojnë në emër të sportit apo do t’i akordohen Pukës. Në emër edhe të aksionerëve të tjerë që financojnë Shënkollin, falënderoj presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili po mendon për ne, duke dhënë një pagë për futbollistët. Kjo është një ndihmë e madhe.

Shenkolli2

Qeveria ka shumë detyrime ndaj taksapaguesve të saj, por po e përdor për propagandë situatën, në terren nuk shihet asgjë. Për këtë qeveri futbolli është gjëja më e fundit që mund t’i bjerë ndërmend dhe ne tani presim se kur do të lirohet situata, që të nisim stërvitjen. Nga qeveria dhe bashkia kërkojmë atë që na takon, por e shohim se gjithçka po rrokulliset dhe nuk e dimë ku do të përfundojmë”, ka thënë Djala.

Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"