Ballshiotët, të bindur se dalin fitimtarë në Burrel. Maçolli: Nuk ka të pagabueshëm, kreu në llogarinë e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 13:43

Ballshiotët, të bindur se dalin fitimtarë në Burrel. Maçolli: Nuk ka të pagabueshëm, kreu në llogarinë e Bylisit

Ballshiotët i kanë dhënë mundësi pjesës më të madhe të lojtarëve në këtë periudhë ndërprerje që të luajnë me ekipin U-21, në mënyrë që të ruajnë formën për duelin me Burrelin. Kjo transfertë zhvillohet mesjavën e ardhshme, më 27 mars, dhe konsiderohet delikate për ballshiotët.

xhoele macolli

Bylisi U-21 barazoi 3-3 në Shkodër, ku u aktivizuan Abazaj, Qarri, Papa, Emini, Ruçi, Toska, Kamara, Oularen dhe Xhonatan Lajthia. Mallakastriotët janë në grumbullim në prag të sfidës me matjanët, që luhet në “Liri Ballabani”. Ndërkohë që në këtë takim trajneri Bellai do ta ketë skuadrën më të plotë, pasi janë rikthyer lojtarët e pezulluar. Xhoel Maçolli, një nga pikat e forta në mesfushën e Bylisit, në lidhje me përballjen me Burrelin për “Panorama Sport” pohoi se çdo ndeshje deri në fund do të jetë shumë e vështirë, ndaj duhet kujdes.

“Jemi në një kampionat që ka shumë rivalitet dhe gara po bëhet shumë e ashpër. Të gjitha ekipet janë në lojë. Jemi në vend të dytë për momentin, por kam besim se së shpejti do të pozicionohemi në krye. Luajmë takime të vështira dhe nuk mund të bësh llogari, por më e mira është që ne pas kthesës me Besën të fitojmë në Burrel dhe të jemi në rrugë të mbarë për të kapur vendin e parë. Janë shumë pikë në lojë dhe Bylisi e ka treguar për 7 muaj në krye, kështu që duhet të reagojmë dhe ta marrim vendin e parë në javët e mbetura.

Shpresoj të kemi edhe fatin me vete, sepse dihet se në futboll, pa fat nuk mund të ecësh apo të kesh rezultate. Nuk ka të pagabueshëm në këtë kampionat, madje dua të theksoj se Bylisi ka qenë perfekt, por për arsye të ndryshme kemi çaluar sidomos në dy sfida këtë vit, që na kanë kushtuar kreun. Në një garë me rivalitet askush nuk e ka vendin e sigurt”, tha mesfushori i Bylisit, Xhoele Maçolli.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"