Asnjë ofertë nga Tirana, Taku: Me Skënderbeun kam firmosur vetëm për ndeshjet e Europës, më donte trajneri Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2017 | 21:55

Asnjë ofertë nga Tirana, Taku: Me Skënderbeun kam firmosur vetëm për ndeshjet e Europës, më donte trajneri Daja

Afrim Taku tregon ar syen pse përfundoi në Korçë. Mesfushori thekson se nga Tirana nuk mori kurrë një ofertë dhe Skënderbeun e zgjodhi pikërisht prej Ilir Dajës. Gjatë konferencës së dhënë dje për mediat, ish-bomberi i bardhebluve ka sqaruar se marrëveshja e firmosur është vetëm për Ligën e Europës, por nuk përjashton mundësinë që ajo të zgjatet edhe për sezonin tjetër.

taku

Taku, jeni zyrtarisht i Skënderbeut, si ndiheni?

Ndihem vërtet mirë që kam firmosur për Skënderbeun, por dua të sqaroj diçka. Kam lexuar që kam firmosur për një vit, por në fakt unë kam firmosur vetëm për ndeshjet e Ligës së Europës. Me këtë dua të them se do të jem për ndeshjet europiane së pari dhe më pas do të ulem në tavolinë me presidentin Ardjan Takaj për të folur edhe për të ardhmen. Në këtë mënyrë, s’e kam vendosur dhe nuk e di se ç’do të bëj në të ardhmen.

Çfarë ju bindi që të visheshit bardhekuq për Europën?

Ajo që më bindi të firmosja për ndeshjet europiane ka qenë pa dyshim korrektësia e presidencës, plus kësaj edhe prania e trajnerit Ilir Daja këtu te Skënderbeu. Për këta faktorë jam sot këtu në Korçë. Në fakt, ju gjatë gjithë karrierës suaj keni qenë vetëm pjesë e Tiranës, madje që nga viti 2008.

Sa e vështirë ishte të lije bardheblutë dhe të vije në Korçë?

Realisht, dua të them se ishte shumë e vështirë. Por, duhet të bëja hapa të mëdha në karrierën time dhe mund të isha edhe në ndonjë ekip tjetër, por ja që për momentin jam bardhekuq.

Mos ndoshta ka ndikuar edhe rënia nga Superiorja që ju të merrnit tjetër drejtim në karrierën tuaj?

Nuk mund ta them një gjë të tillë. U arrit një marrëveshje dhe duhet të ndryshoja për pak kohë ambientin dhe e bëra realitet.

Te Skënderbeu ju prisnin që përpara se të udhëtonit drejt Amerikës. Si është forma fizike e Afrim Takut në këtë moment?

Ndihem vërtet mirë dhe ju deklaroj se kam bërë vetëm një javë pushim dhe asnjë ditë më shumë. Me këtë dua të them se gjatë gjithë kohës kam qenë aktiv në stërvitje, madje ato ditë që kam zhvilluar nga dy seanca çdo ditë.

Mund të na zbuloni nëse kontrata që keni firmosur ka një opsion që ju lejon të luani një ditë në Amerikë, në rast të një oferte?

Është edhe ky opsion, që nëse do të kem një ditë një ofertë nga një skuadër amerikane, atëherë do të largohem. Në qoftë se do të firmos për Skënderbeun edhe në vazhdim, pra për sezonin tjetër, atëherë edhe ky opsion do të qëndrojnë.

Këtu gjeni Muzakën, një ish-bardheblu, por më shumë se këdo tjetër gjeni edhe trajnerin Ilir Daja. Mund ta quajmë që ka pak Tiranë te Skënderbeu?

Po, është e vërtetë që ka pak Tiranë edhe këtu. Por nuk ka qenë vetëm Daja dhe Muzaka bardheblu. Me Tiranën kanë qenë më parë edhe Sebino Plaku, Tefik Osmani apo edhe Sabjen Lilaj. Pra jemi më shumë se pak, pasi jemi një grup lojtarësh që kemi qenë pjesë e Tiranës.

Në fakt, trajneri Ilir Daja ju kërkoi me ngulm. Kjo do të thotë që…

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që jam te Skënderbeu. Daja më njeh mjaft mirë, prandaj më donte te Skënderbeu dhe ja ku jam tani sërish me Dajën në stol.

Taku, sot (dje) është dita e dytë e stërvitjeve me fanellën bardhekuqe. Ju ka bërë përshtypje ndonjë gjë në Korçë?

Më ka bërë përshtypje diçka në stërvitje, pasi kishte shumë tifozë që na ndiqnin dhe interesimi ishte i madh. Kjo është një gjë shumë e mirë për të gjithë ne, pasi na mobilizon më shumë për ndeshjen e radhës dhe për Europën në përgjithësi.

Vini te Skënderbeu me shumë tituj kampionë dhe te skuadra që ka bërë histori në Europë…

Kjo është diçka vërtet shumë e mirë, pasi do të na ndihmojë shumë në të ardhmen. Unë në fakt nuk kam fituar ndonjë titull kampion te Skënderbeu, pasi vij për herë të parë, por di të them që është një skuadër që ka një grup shumë të mirë.

Në mesin e fushës ku luani edhe ju ka shumë lojtarë. Mendoni se do ta fitoni shpejt formën fizike dhe të kapni edhe formacionin?

Kjo është një gjë shumë e mirë që ka konkurrencë dhe na bën më kompetitivë. Kështu edhe rezultatet pozitive arrihen më thjesht.

Si mendoni, sa larg do të shkojë ky Skënderbe këtë verë në Europë?

Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të mos mendojmë qysh tani për të ardhmen. Të përqendrohemi vetëm te turi i parë, ta kalojmë atë dhe pastaj mendojmë për turin e dytë dhe kështu me radhë.

Po ndeshja e parë ndaj Sant Julias si ju duket?

Nuk e njoh kundërshtarin që kemi në turin e parë të Ligës së Europës. Mendoj vetëm që duhet pasur vlerësim maksimal dhe nëse do ta kemi patjetër që do ta kalojmë.

Daja e ka projektuar formacionin për takimin e parë. Kjo do të thotë se do ta nisni në stol. Kur mendoni se do të jeni gati për të qenë titullar?

Unë jam gati qysh tani, por për formacionin do të jem apo jo, atë e di vetëm Daja, pasi ai vendos për se kush do të luajë.

Cilët lojtarë njihni më shumë te skuadra korçare?

Ata që përmenda edhe më sipër. Pra, Muzakën, Lilajn, Plakun, Osmanin, ata që kanë qenë edhe te Tirana.

Po tifozëve korçarë, ose siç njihen ndryshe “Ujqërit e dëborës” keni gjë për t’u thënë?

I falënderoj shumë për mikpritjen dhe u them që do të jap më të mirën për fanellën që kam veshur. Për këtë të fundit edhe i garantoj.

Tiranën e braktisën edhe “Fanatics”-at prej kohësh, ndërkohë që po e “braktisin” edhe të tjerët, ashtu si e latë edhe ju. Keni keqardhje?

Më vjen keq për atë që ndodhi me Tiranën dhe që ra nga Superliga. Unë uroj me shpirt e zemër që të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje dhe të rikthehet sa më shpejt në elitë. Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Nga ana e Tiranës nuk pata asnjë ofertë të paktën për ndeshjet europiane dhe prandaj vendosa të jem te Skënderbeu. Këtë e kisha për detyrë që ta sqaroja për të gjithë publikun.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"